Lidhje

Itali, dhjetëra viktima pas përmbytjes së një varke me migrantë


Të paktën 60 migrantë humbën jetën pasi varka me të cilin udhëtonin u përmbys, në brigjet e Italisë. Roja bregdetare italiane dhe agjencitë e OKB-së për emigrantët thanë se varka prej druri u përplas me shkëmbinj nënujorë dhe u copëtua në jug të Italisë, në orët e para të së dielës.

Autoritetet italiane njoftuan se të paktën 80 persona u gjetën të gjallë, “disa prej të cilëve arritën të dilnin vetë në breg pas mbytjes së anijes”.

Shifrat e sakta të të humburve janë vështirë për t’u përcaktuar, theksoi Roja bregdetare italiane.

Rreth 200 emigrantë vlerësohet të kenë qenë në bordin e varkës thanë dy agjenci të OKB-së, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, në një deklaratë të përbashkët që citonte të mbijetuarit.

Shumica e migrantëve ishin nga Afganistani, Pakistani dhe Somalia, ndërsa varka ishte nisur pesë ditë më parë nga Turqia.

Me anë të një deklarate kryeministrja italiane, Meloni shprehu “dhimbjen e saj të thellë për jetët e shumta njerëzore të marra nga trafikantët e qenieve njerëzore”.

Në vitin 2022, rreth 105 mijë migrantë mbërritën në brigjet italiane, rreth 38 mijë më shumë se në vitin 2021, sipas shifrave të Ministrisë së Brendshme.

XS
SM
MD
LG