Lidhje

Kongresi fillon një hetim 2-vjeçar të konkurrencës mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës


Congress China
Congress China

Ligjvënësit amerikanë filluan një hetim të gjerë dyvjeçar mbi konkurrencën strategjike të Shteteve të Bashkuara me Kinën të martën, duke ftuar për të dëshmuar aktivistë kinezë të të drejtave të njeriut dhe ish-këshilltarë të sigurisë kombëtare. Zëri i Amerikës bisedoi me disa anëtarë të komisionit për çështjet në të cilat ata duan të përqendrohen në këtë hetim.

Vetëm disa javë pasi Shtetet e Bashkuara rrëzuan një balonë spiune kineze në brigjet e Karolinës së Jugut, ligjvënësit amerikanë filluan një analizë ambicioze të konkurrencës strategjike midis dy vendeve.

“Kjo është një luftë ekzistenciale mbi mënyrën se si do të duket jeta në shekullin e 21-të. Liritë më themelore janë në rrezik. Partia Komuniste Kineze është e përqendruar në vizionin e saj për të ardhmen, një botë të mbushur me vende totalitare, që përgjojnë njerëzit, ku të drejtat e njeriut janë në varësi të tekave të partisë.”

Ligjvënësi Mike Gallagher do të kryesojë komisionin 24 anëtarësh që shumë ligjvënës thonë se duhet të jetë një model i bashkëpunimit dypartiak.

“Ne duhet ta pranojmë se Partia Komuniste Kineze dëshiron që ne të jemi të përçarë, partiakë dhe paragjykues. Por ajo që ata nuk e kuptojnë është se larmia e pikëpamjeve dhe prejardhjeve tona nuk është një dobësi e sistemit të Amerikës. Ato janë tipari ynë përcaktues dhe forca jonë”, tha ligjvënësi demokrat Raja Krishnamoorthi.

Por ligjvënësit dëgjuan paralajmërime nga ish-këshilltarët e sigurisë kombëtare të ish-presidentit Trump, se Shtetet e Bashkuara duhet të rifitojnë terrenin e humbur në fushën e sigurisë.

“Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të botës së lirë ndihmuan në dobësimin e avantazheve të tyre konkurruese përmes transferimit të kapitalit dhe teknologjisë tek një konkurrent strategjik”, tha HR McMaster, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare në administratën e ish-presidentit Trump.

Në fillim të këtij viti, presidenti Joe Biden theksoi se Shtetet e Bashkuara janë në konkurrencë, jo në konflikt, me Kinën. Por ekspertët thanë se kjo nuk është pikëpamja e Pekinit.

“Nuk ka më asnjë justifikim për t'u mashtruar për qëllimet e Pekinit. Daklaratat e shumta publike të presidentit kinez Xi dhe veprimet e regjimit të tij janë flagrante dhe nuk lënë hapësirë për keqkuptim”, tha Matthew Pottinger, ish-këshilltar i administratës Trump.

Eksplorimi në shkallë të gjerë i komisionit do t’i japë hapësirë perspektivave të reja mbi kërcënimet ndaj sigurisë. Ligjvënësi Dan Newhouse i tha Zërit të Amerikës se është i shqetësuar nga blerja e tokave në zonat bujqësore të Shteteve të Bashkuara nga kompanitë kineze.

"A mund të imagjinoni ndonjë gjë më të pasigurt sesa furnizimi ynë me ushqim, rrezikimin e vetëm një hallke të atij zinxhiri furnizimi ushqimor në një konflikt të mundshëm me dikë, që nuk është miku ynë?", pyeti ligjvënësi republikan Dan Newhouse.

Anëtarët e komisionit i thanë Zërit të Amerikës se balona spiune kineze është vetëm një pjesë e vogël e kërcënimit të sigurisë.

“Kemi një kërcënim të përditshëm në telefonat e amerikanëve dhe ai nuk mbaron këtu, Kina është një kërcënim masiv ushtarak. Forca e saj detare është më e madhe dhe shumë njerëz argumentojnë se është më e fuqishme se ajo e Amerikës. Ata kanë më shumë platforma të lëshimit të raketave balistike ndërkontinentale sesa Shtetet e Bashkuara. Aftësitë e tyre si raketat hipersonike janë shumë më të mëdha se ato që ka Amerika sot”, tha ligjvënësi republikan Dusty Johnson.

Komisioni Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë po shqyrton një projektligj që do t’i jepte Presidentit Biden kompetenca për të ndaluar përdorimin e aplikacionit TikTok, pronë e një kompanie kineze, në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG