Lidhje

Çantë me eksplosivë në aeroportin e Pensilvanisë


Autoritetet kanë arrestuar një burrë 40-vjeçar pasi në çantën e tij u gjet një mjet shpërthyes. Autoritetet federale thanë se individi do të udhëtonte me avion nga një aeroport në lindje të Pensilvanisë me destinacion Floridën.

Ndaj 40-vjeçarit Marc Muffley janë ngritur akuzat për posedim eksplosivi në aeroport dhe tentativë për të vëndosur një mjet shpërthyes në avion.

Prokurorët pretendojnë se lënda shpërthyese u gjet në një valixhe që i akuzuari Muffley kishte dorëzuar pranë linjës ajrore “Allegiant”, në Aeroportin Ndërkombëtar Lehigh Valley, me të cilën do të udhëtonte drejt qytetit Orlando të Floridës.

Pajisjet e sigurisë dhanë alarmin për valixhen e cila u ekzaminua dhe brenda saj u gjet e fshehur lënda shpërthyese me një diametër rreth 7 centimetra.

Një specialist i Byrosë Federale të Hetimeve për eksplosivët doli në përfundimin se lënda shpërthyese ishte pluhur i ngjashëm me atë që përdoret në fishekzjarret komercialë.

Autoritetet thanë se lënda shpërthyese ishte e lidhur me një siguresë, që duket sikur ka dalë nga fabrika, dhe ishte e lidhur me një siguresë tjetër që ngadalëson djegien, dhe duket se ishte shtuar më vonë në rrugë artizane.

Lënda shpërthyese përbën rrezik të konsiderueshëm për aeroplanin dhe pasagjetë, thuhet në dokumentet e kallëzimit penal.

Autoritetet thanë se pas zbulimit të lëndës shpërthyese në çantë, punonjësit kishin thirrur emrin e zotit Muffley në sistemin audiofonik të aeroportit. Pas kësaj ai ishte parë të largohej nga aeroporti. FBI-ja e arrestoi atë pak orë më vonë mbrëmjen e së hënës në Lansford. Ai do të dalë para gjykatësit të enjten.

XS
SM
MD
LG