Lidhje

Teoritë e konspiracionit për zgjedhjet nxisin mosmarrëveshjet për programin kundër manipulimit zgjedhor


Një përpjekje dypartiake e shteteve për të luftuar manipulimin zgjedhor është vënë në epiqendër të teorive të konspiracionit të ushqyera nga pretendimet e pavërtetuara të ish-Presidentit Donald Trump për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe tashmë përballet me një të ardhme të pasigurtë.

Njëri prej shteteve hoqi dorë nga pjesëmarrja në këtë program. Një tjetër shtet është në proces për t’u larguar dhe disa shtete të drejtuara nga republikanët janë duke vendosur nëse do të vazhdojnë me këtë program.

Objektivi i Qendrës Elektronike të Regjistrimit të Informacionit, një sistem me baza vullnetare i njohur ndryshe si ERIC, ka qenë që të ndihmojë shtetet anëtare të mbajnë lista të sakta votuesish të regjistruar, nëpërmjet shkëmbimit të të dhënave që u mundësojnë zyrtarëve të identifikojnë dhe të heqin emrat e personave që kanë vdekur ose janë zhvendosur në shtete të tjera. Raportimet i ndihmojnë shtetet gjithashtu që të identifikojnë dhe të ngrenë padi ndaj personave që votojnë në disa shtete.

Në Merilend, zyrtarët zgjedhorë janë njoftuar nëpërmjet sistemit për gati 66 mijë votues që mund të kenë vdekur si dhe për 778 mijë persona që mund të jenë larguar nga ky shtet deri në vitin 2013. Në Xhorxhia, sistemi ofroi të dhënat për të hequr gati 100 mijë votues që nuk kishin më të drejtën të votonin në këtë shtet.

E megjithatë përpjekja për të përmirësuar integritetin e zgjedhjeve dhe për të shmangur manipulimin zgjedhor është bërë objekt dyshimi ndër disa republikanë, pas një serie postimesh në internet në fillim të vitit të kaluar ku ngriheshin pikëpyetje për financimin dhe qëllimin e programit.

Pak pas këtyre komenteve, shteti Luiziana u largua nga ky grup, duke përmendur shqetësimet e ngritura në internet. Një ditë pas marrjes së detyrës muajin e kaluar, sekretari i ri i shtetit në Alabama, Wes Allen, dërgoi një letër duke informuar qendrën për largimin e këtij shteti pasi e kritikoi programin gjatë fushatës së tij elektorale.

Shtete të tjera të drejtuara nga republikanët mund të veprojnë po kështu, thuhet në një anketim të bërë në zyrat zgjedhore të shteteve nga agjencia e lajmeve Associated Press. Zyrtarët në Florida dhe Misuri thanë se po vlerësojnë pjesëmarrjen e tyre, ndërkohë që legjislacioni në Teksas mund ta detyrojë këtë shtet të dalë nga programi. Zyrtarët në Virxhinian Perëndimore refuzuan të japin mendimin e tyre, duke thënë se “po monitorojnë nga afër situatën me anëtarësinë në programin ERIC”.

Largimet dhe mundësia për largime të tjera i kanë shqetësuar zyrtarët zgjedhorë të përfshirë në këtë program dhe kanë treguar se sa thellë janë përhapur teoritë e konspiracionit për zgjedhjet në Partinë Republikane.

“Ideja se ndonjë shtet do të largohej, dhe ne e dimë se shumë po largohen ose po mendojnë të largohen, bazuar vetëm në dezinformata që në shumicën e rasteve e dinë se nuk janë të sakta -- është e çuditshme për mua”, tha Sekretarja demokrate e Shtetit në Miçigan, Jocelyn Benson. “Largimi i tyre dëmton drejtpërdrejt sigurinë dhe integritetin e listave të votuesve të shtetit të tyre dhe aftësinë e tyre për t'i mbajtur ato të përditësuara dhe të sakta”.

Jo të gjitha shtetet e udhëhequra nga republikanët po rivlerësojnë pjesëmarrjen e tyre në program. Nga të anketuarit nga Associated Press, zyrat zgjedhore në 23 shtete dhe në Distriktin e Kolumbias thanë se nuk kishin ndërmend të largoheshin, ndër to tetë shtete të drejtuara ose të kontrolluara nga republikanët. Katër zyra shtetërore nuk u përgjigjën: zyrat në Alaska, Kolorado, Dellauer dhe Uashington.

Zyrtarët republikanë që thanë se nuk kishin ndërmend të largoheshin sinjalizuan se do të japin një mbështetje të fortë për programin. Zyrtari kryesor zgjedhor i Ajovas tha se programi, në më pak se një vit, kishte ndihmuar shtetin të identifikonte më shumë se 1,300 votues të vdekur që nuk reflektoheshin në të dhënat e këtij shteti.

"ERIC është një mjet efektiv për të siguruar integritetin e listave të votuesve të Ajovas", tha Sekretari i Shtetit i Ajovas, Paul Pate, një republikan në mandatin e tij të tretë.

Programi filloi në vitin 2012 nga shtatë shtete dhe ishte dypartiak që nga fillimi, me katër nga shtetet themeluese të udhëhequra nga republikanët. Sot janë anëtarë 32 shtete dhe Distrikti i Kolumbias.

Në prill, numri do të bjerë në 31 kur Alabama të largohet zyrtarisht nga grupi. Zoti Allen bëri pretendime të ndryshme gjatë fushatës së tij të vitit 2022 në lidhje me programin, për të cilat u kritikua nga Sekretari i atëhershëm i Shtetit John Merrill. Zoti Merrill, një zyrtar republikan, vuri në dukje se programi ERIC kishte identifikuar më shumë se 19,000 të dhëna të votuesve të mundshëm të vdekur në Alabama që nga viti 2016.

Një ankesë kryesore në lidhje me programin është se ai u financua nga George Soros, investitori dhe filantropi miliarder, i cili ka qenë prej kohësh subjekt i teorive konspirative. Ndërsa ERIC mori fonde fillestare nga organizata jo partiake Pew Charitable Trusts, ato fonde ishin të ndara nga paratë e dhëna organizatës Pew nga një organizatë e lidhur me zotin Soros që shkuan për një tjetër përpjekje pa lidhje me këtë program, tha drejtori ekzekutiv i programit ERIC, Shane Hamlin.

Programi që atëherë është financuar nëpërmjet kontributeve vjetore nga shtetet anëtare. Zoti Hamlin tha se diskutimet aktuale mes vendeve anëtare kanë qenë energjike dhe se së shpejti priten vendimet për ndryshimet e mundshme.

“A është ende i rëndësishëm misioni i programit ERIC? Po”, tha zoti Hamlin. “Por a janë ende të rëndësishme mënyrat në të cilat anëtarët përdorin programin ERIC për të arritur atë mision? A janë ende efektive? Kjo është ajo për të cilën po flasim mes nesh”.

XS
SM
MD
LG