Lidhje

Padia ndaj Fox News-it dhe taktikat e mbrojtjes së rrjetit në gjykatë


Përpara zyrave qendrore të kanalit Fox News në Nju Jork
Përpara zyrave qendrore të kanalit Fox News në Nju Jork

NJU JORK – Rrjeti televiziv Fox News duket se është drejt një kundërvënieje të pazakontë ndaj qëndrimeve të dy nga konkurrenteve kryesorë në garën brenda partisë për të qenë kandidati zyrtar i saj për zgjedhjet presidenciale të 2024.

Ndaj këtij rrjeti është ngritur një padi për shpifje, për mënyrën se si raportoi rreth pretendimeve të pavërtetuara për manipulime gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Për të mbrojtur veten gjatë procesit gjyqësor, Fox News ka vendosur të mbështetet tek një vendim i marrë pothuajse 60 vjet më parë nga Gjykata e Lartë, që e bën të vështirë suksesin e padive për shpifje, ndaj organizatave të mediave.

Ish-Presidenti Donald Trump dhe Guvernatori i Floridas Ron DeSantis, dy konkurrentët favoritë për shumë nga shikuesit e kanalit Fox News, kanë kërkuar që gjykata ta rishqyrtojë këtë standard që konsiderohet si themeli i ligjeve për shpifjen në Shtetet e Bashkuara.

“Është ironike që kanali Fox mbështetet tek një çështje gjyqësore kryesore që u ngrit për të ndihmuar mediat e lajmeve të luajnë rolin e mbikëqyrësit në demokraci, dhe që tashmë po sulmohet nga Guvernatori DeSantis, nga Donald Trump dhe të tjerë që kanë qenë të papërmbajtur në sulmet e tyre ndaj gazetarëve si armiq të popullit”, thotë Jane Hall, profesor për komunikimin në Universitetin Amerikan.

Evidencë e dukshme është shfaqur gjatë javëve të fundit nga materialet gjyqësore ku paraqitet një panoramë e ndarë më dysh, mes asaj çfarë kanali Fox paraqiste për shikuesit në lidhje me pretendimet e pavërtetuara për manipulime zgjedhore, dhe atyre çfarë gazetarët dhe drejtuesit e kanalit thoshin për këtë gjë, larg syrit të kamerave. “Sydney Powell gënjen”, shkruante në një mesazh për producentin Tucker Carlson, drejtues emisioni në Fox News, duke folur për një nga avokatët që mbështesnin pretendimet e ish-Presidentit Trump.

Në një mesazh dërguar nëpërmjet postës elektronike pas zgjedhjeve të vitit 2020, kryetari i Korporatës Fox, Rupert Murdoch, e përshkroi një konferencë për shtyp ku merrte pjesë zonja Powell dhe ish-Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudy Giuliani, tashmë në funksionin e avokatit që mbështeste akuzat për zgjedhjet, si “Një çmenduri e vërtetë. Dhe dëmtuese”.

Përveç këtyre zbulimeve për ngjarjet pas kuintave në rrjetin televiziv Fox, rezultati mund të ketë edhe pasoja të gjera për organizatat e mediave për shkak se ato, dhe gjykatat, janë mbështetur tek ligji për shpifjen që Fox po përdor për mbrojtje.

Në padinë ku kërkohet një zhdëmtim prej 1.6 miliardë dollarësh, kompania që prodhon makineritë për numërimin e votave, Dominion Voting Systems, thotë se Fox transmetoi në mënyrë të përsëritur akuzat se kompania Dominion ndihmoi për manipulimin e zgjedhjeve në disfavor të ish-Presidentit Trump, megjithëse shumë nga punonjësit në këtë organizatë mediash shpreheshin privatisht se pretendimet ishin false.

Pajisjet e numërimit të votave të kompanisë Dominion
Pajisjet e numërimit të votave të kompanisë Dominion

Kanali Fox thotë se ligji ia lejon transmetimin e akuzave të tilla nëse përbëjnë lajm.

Në një vendim të vitit 1964 për një çështje që kishte të bënte me gazetën The New York Times, Gjykata e Lartë kufizoi hapësirat për zyrtarët publikë që të ngrenë padi për shpifje. Ajo vendosi se organizatat e lajmeve janë të mbrojtura nga të tilla padi, me përjashtim të rastit kur provohet se publikuan materiale me “keqdashje reale” – pra duke ditur se diçka ishte false, apo duke vepruar me një “mospërfillje të qartë” për faktin nëse ishte apo jo i tillë.

Një shembull se si është zbatuar ky ligj ishte vitin e kaluar kur redaktorët e gazetës Times pranuan se në një editorial bëhej një lidhje e gabuar mes retorikës së ish-kandidates republikane për nënpresidente Sarah Palin dhe një sulmi me armë me viktima të shumta në Arizona. Zonja Palin nuk arriti ta fitojë padinë pasi nuk mundi të provojë se gazeta gaboi me papërgjegjshmëri kundër së vërtetës.

Disa aktivistë të fjalës së lirë shqetësohen se padia e kompanisë Dominion ndaj rrjetit Fox mund të krijojë mundësinë që Gjykata e Lartë, tashmë me shumicë konservatore, të rishikojë standardin e vendosur gjatë çështjes gjyqësore të njohur me emrin “New York Times Co. kundër Sullivan”. Megjithëse kjo çështje ka vendosur një nga precedentët ligjorë më afatgjatë, shumica e re konservatore në këtë gjykatë ka treguar se ka vullnetin për të sfiduar aspekte që konsideroheshin si të përcaktuara ligjërisht – siç veproi vitin e kaluar me përmbysjen e të drejtave për abortin.

Dy anëtarë të Gjykatës së Lartë, Clarence Thomas dhe Neil Gorsuch, kanë shprehur publikisht interesimin për ta rishqyrtuar këtë precedent.

Në opinionin e tij kundër një vendimi të vitit 2021 për të refuzuar pranimin e një çështjeje për shpifje, Gjykatësi Gorsuch shkruajti se ajo që filloi në vitin 1964 si një vendim për të toleruar gabimet që ndodhin, me qëllimin për të lejuar raportimin energjik të mediave, “është shndërruar në një mbulesë të hekurt për publikimin e falsiteteve me çdo kusht, dhe ka arritur në një shkallë të paimagjinuar më parë”.

“Dëshira ime do të ishte që palët të gjenin një zgjidhje kompromisi dhe që kjo çështje të mbyllej”, tha Jane Kirtley, drejtore e Qendrës Silha për Studimin e Etikës së Mediave dhe të Ligjit, në Universitetin e Minesotas. “Nuk shoh ndonjë të mirë që mund të vijë nga kjo çështje”.

Një ndër pikat e forta që mendohet se përmban padia e kompanisë Dominion, po shqetëson disa nga mbështetësit e shtypit.

Sipas Kompanisë “Dominion Voting Systems”, rrjeti Fox News, ishte i ndarë, nga njëra anë me të vërtetën se zoti Joe Biden i fitoi në mënyrë të ligjshme zgjedhjet por në anën tjetër duhej të kënaqte atë pjesë të audiencës që besonte gënjeshtrat e zotit Trump.

Sipas dokumentit gjyqësor të bërë publik javën e kaluar, zoti Murdoch ka argumentuar se rrjeti Fox nuk i mbështeti pretendimet për manipulim të zgjedhjeve; mirëpo, disa nga prezantuesit e programeve të Fox News-it, si Maria Bartiromo, Lou Dobbs, Jeanine Pirro dhe Sean Hannity në disa raste e kishin bërë një gjë të tillë.

Zoti Murdoch ishte mes shumë prej atyre në rrjetin Fox, që në biseda private ishte shprehur se nuk i besonte pretendimet e zotit Trump dhe aleatëve të tij, se për shkak të mashtrimeve masive ai nuk mundi të rizgjidhej.

Presidenti Trump duke folur për Fox News në vitin 2020
Presidenti Trump duke folur për Fox News në vitin 2020

Në dëshmitë e tij, zoti Murdoch pohon se mund të kishte penguar daljen në transmetim të të ftuarve që përhapnin me zell teoritë konspirative, porse ai nuk e bëri këtë.

“Një nga argumentet e mbrojtjes është që dhe nëse një deklaratë ndaj një figure publike është e rreme, ajo mbrohet për sa kohë personi që e bën, e beson atë deklaratë.” shpjegon avokati Floyd Abrams.

“Por asnjë në rrjetin Fox News nuk duket i gatshëm të thotë se i besonte këto pohime. Ndërsa tani duket se ka të dhëna thelbësore se askush në Fox News nuk u besonte atyre pohimeve. Kjo është një goditje e rëndë”, shton ai.

Sipas dokumenteve gjyqësore, i gjithë zinxhiri drejtues i programeve qendrore në Fox News në bisedat private ka denigruar avokaten e zotit Trump, Sidney Powell. Prezantuesja Laura Ingraham, teksa shkëmbente mesazhe me kolegun e saj Tucker Carlson, e përmendte avokaten Powell me nofkën “arrë”.

Në dëshminë e dhënë, prezantuesi Sean Hannity tha se nuk u kishte besuar “ qoftë dhe një sekondë” pretendimeve për manipulime. Megjithatë, sipas dokumenteve gjyqësore, avokatja Powell u intervistua 11 herë në Fox News, gjatë periudhës 8 nëntor deri më 10 dhjetor 2020.

Avokatët e kompanisë “Dominion” thonë se rrjeti Fox argumenton se nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore për transmetimin dhe të pretendimeve më të rënda, ndonëse e dinin se ishin të pavërteta, për sa kohë ato përbënin lajm.

Fox News thotë se kompania “Dominion” po shfaq një pikëpamje ekstreme kundër shpifjes, sipas të cilës, detyra e rrjetit televiziv nuk ishte t’u jepte zë pretendimeve, por t’i censuronte dhe t’i denonconte ato si pavërteta.

"Sipas këndvështrimit të kompanisë Dominion, nëse presidenti akuzoi pa baza nënpresidentin për komplot për vrasjen e tij, atëherë media do të mbante përgjegjësi ligjore për raportimin e akuzave që përbënin lajm, për sa kohë që dikush në redaksi mendonte se (lajmi) ishte qesharak", shprehen avokatët e rrjetit Fox në dokumentet e dorëzuara në gjykatë.

Sipas rrjetit Fox, “një rregull i tillë do të frenonte misionin e medias”

Avokati i specializuar për Amendamentin e Parë, Lee Levine thotë se “ steka për të provuar shpifjen është e lartë dhe kjo është bërë qëllimisht kështu”

Sipas tij, kompania Dominion duhet të provojë se një pjesë e konsiderueshme e audiencës së gjerë arrinte në përfundimin se ishte qenë dikush nga rrjeti Fox News që e kishte ngritur këtë pretendim, dhe jo vetëm personat që ata intervistonin.

Megjithatë, avokati pohon se kompania “Dominion” ka ngritur padinë më të fortë për shpifje, së paku në 40 vitet e fundit që zoti Levine është marrë me çështje të tilla.

George Freeman, drejtor i Qendrës për Burime Mediatike Ligjore tha se rrjeti Fox duhet të citojë një standard më pak të njohur të “reportazhit të paanshëm” i cili daton te një rast gjyqësor i viteve 1970.

Sipas këtij rasti, organizata mediatike nuk duhet të shkurajohet për të raportuar diçka që përbën lajm, edhe pse ka dyshime serioze mbi vërtetësinë e tij, për sa kohë lajmi në fjalë vjen nga një burim i përgjegjshëm dhe i nivelit të lartë.

Mirëpo, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara nuk e ka marrë parasysh këtë argument; ndërkohë, atë e kanë hedhur poshtë një numër i madh gjykatash të tjera. Nuk është ende e qartë nëse ky argument mbrojtës mund të jetë i ligjshëm në rastin e padisë së kompanisë “Dominion” ndaj Fox.

Në qarqet republikane ekziston ndjesia se standardi “Sullivan” shkon shumë më larg se duhet në mbrojtjen e organeve mediatike.

Guvernatori i Floridës, Ron De Santis i kërkoi muajin e kaluar Gjykatës së Lartë të rishikonte ligjet mbi Shpifjen, duke thënë se ato përdoren për të njollosur politikanët dhe për të shkurajuar njerëzit për të kandiduar për poste të ndryshme. Një projekt ligj që është në shqyrtim e sipër në legjislaturën e tanishme në Florida do të dobësojë ndjeshëm standardet në këtë shtet.

Viti e kaluar Zoti Trump tha se gjykata duhet të shqyrtonte padinë e tij për shpifje ndaj rrjetit CNN, si një “mjet të përkryer” për rishqyrtimin e rasteve të mëparshme.

XS
SM
MD
LG