Lidhje

Burgu i ri i madh në El Salvador nxit debate të forta në vend


Një burg i ri i sigurisë së lartë në El Salvador, më i madhi në Amerikën Latine, u ndërtua me urdhër të Presidentit Nayib Bukele në kuadër të përpjekjeve të tij kundër krimit dhe bandave kriminale. Përpjekjet e tij kanë shënuar sukses në uljen e dhunës nga bandat kriminale. Por projekti i presidentit Bukele ka shkaktuar shqetësime lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut.

Burgu i ri i madh në El Salvador nxit debate të forta në vend
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:58 0:00

Qendra e Burgimit për Terrorizimin është një burg i ri i sigurisë maksimale në El Salvador. U deshën më shumë se dy vite për ndërtimin e burgut, që kushtoi 100 milionë dollarë.

Qendra e burgimit ndodhet afër kryeqytetit të vendit, në një hapësirë prej 160 hektarësh dhe mbrohet nga 800 roje.

Me një kapacitet për të mbajtur 40 mijë të burgosur, ai është burgu më i madh në Amerikën Latine, një gjë shqetësuese për ish-ligjvënësin e El Salvadorit, Jorge Villacorte.

“Nuk duhet të jetë burim krenarie për vendin fakti që kemi burgun më të madh në Amerikën Latine. Përkundrazi, kjo duhet të na bëjë të ndjehemi të turpëruar sepse tregon dështimin e qeverive tona, jo vetëm të asaj që tani po udhëheq vendin”, thotë ai.

Aktivistët e mbrojtjes së të drejtave të njeriut për një kohë të gjatë kanë shprehur shqetësimin e tyre mbi gjendjen në burgjet e vendit.

Zaira Navas është avokate e organizatës jo fitimprurëse “Cristosal”.

“Burgjet e vendit janë të mbipopulluara. Kjo ka rezultuar në kushte të ekstreme të mbipopullimit dhe përhapje të sëmundjeve. Kemi të bëjmë me një situatë serioze të shkeljes së të drejtave të njeriut, më shumë se 94 njerëz kanë vdekur në burgjet e vendit”, thotë ajo.

Në një qeli vendosen 100 të burgosur, të cilët flejnë në shtretër metali.

Ministri i El Salvadorit për çështje Publike, Romeo Rodriguez thotë se qëllimi i qeverisë është ndëshkimi i kriminelëve.

“Nuk janë ndërtuar oborre dhe hapësira argëtimi. Ne po përpiqemi të garantojmë se të burgosurit nuk do të jenë në gjendje të japin urdhra nga burgu për vrasjen e banorëve të vendin tonë, siç ka ndodhur në të kaluarën”, thotë ai.

Qeveria e El Salvadorit ka publikuar pamje nga operacioni i transferimit të dy mijë të burgosurve të parë nga gardianë të armatosur.

Me titullin “Lufta Kundër Bandave Kriminale”, presidenti Bukele në një postim në Twitter tha se“Kjo do të jetë shtëpia e tyre e re, ku ata do të jetojnë me dekada dhe nuk do të jenë në gjendje të dëmtojnë popullsinë tonë.”

Disa grupe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut thonë se qeveria po përqendrohet vetëm në aspektin e ndëshkimit dhe nuk ka asnjë plan rehabilitimi për të burgosurit.

Ndërsa vendi ka parë një rënie të krimeve të dhunshme nga lufta e qeverisë kundër bandave kriminale, kritikët, si Villacorta, janë të shqetësuar nga kostoja e realizimit të këtij synimi.

“Tani që njerëzit nuk kanë më barrën e rëndë të rrezikut nga bandat kriminale, ata ndihen më të qetë. Ne po shkëmbejmë qetësinë për të drejtat e njeriut dhe demokracinë”, thotë ai.

Shpallja e gjendjes emergjente nga El Salvadori çoi në pezullimin e disa të drejtave kushtetuese dhe i hapi rrugën një ofensive ushtarake kundër bandave kriminale. Parlamenti i vendit e ka zgjatur disa herë këtë masë.

XS
SM
MD
LG