Lidhje

Grupi i të Drejtave të Bjellorusisë thotë se më shumë se 100 disidentë janë ndaluar


Journalist Andrzej Poczobut stands in a defendants' cage during a court session in Grodno, Belarus, Jan. 16, 2023.
Journalist Andrzej Poczobut stands in a defendants' cage during a court session in Grodno, Belarus, Jan. 16, 2023.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut në Bjellorusi dhanë alarmin për një goditje të re të rëndë ndaj disidentëve nga qeveria autoritare me më shumë se 100 persona - përfshirë disa psikologë dhe psikiatër - të arrestuar brenda një jave.

Viasna, grupi më i vjetër dhe më i njohur i të drejtave në Bjellorusi, tha të martën se arrestime masive u zhvilluan në kryeqytetin Minsk, si dhe në lindje dhe perëndim të vendit.

Autoritetet kishin në shënjestër aktivistët e opozitës, gazetarët, punonjësit e mjekësisë, anëtarët e klubeve sportive dhe ata që përdorin dronë.

Pavel Sapelka i grupit Viasna tha për agjencinë Associated Press se forcat e sigurisë së Bjellorusisë po kryejnë "bastisje dhe kontrolle të hollësishme" ndaj atyre që dyshohen për përfshirje në një sulm të fundit në një avion luftarak rus të stacionuar pranë kryeqytetit bjellorus.

"Gueriljet" nga lëvizja opozitare e vendit BYPOL morën përgjegjësinë për sulmin ndaj një avioni Beriev A-50 në bazën ajrore Machulishchy pranë Minskut.

Rusia përdori territorin e aleatit të saj Bjellorusisë për të sulmuar Ukrainën një vit më parë, dhe Bjellorusia ka vazhduar të presë trupa ruse, avionë luftarakë dhe armë të tjera. Aktivistët e opozitës kanë thënë se synojnë të minojnë atë mbështetje për luftën.

Autoritetet bjelloruse kanë thënë se kanë kërkuar që aleati i vjetër, Moska, të monitorojë kufirin e tyre dhe fillimisht heshtën për incidentin. Ditë më vonë, presidenti autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, e pranoi sulmin, duke thënë se dëmtimi i avionit ishte i parëndësishëm, duke pranuar se ai duhej të dërgohej në Rusi për riparime.

Sipas ministrisë së brendshme të Bjellorusisë, vetëm më 9 mars, 60 persona u arrestuan si pjesë e "intensifikimit të punës për ata që janë përfshirë në grupe ekstremiste dhe organizata terroriste". Agjencia shtetërore e sigurisë KGB e vendit raportoi gjithashtu arrestimin e një shtetasi ukrainas të cilin autoritetet e akuzojnë për sulmin e avionit dhe 20 bashkëpunëtorë të dyshuar bjellorusë.

Autoritetet raportuan gjithashtu arrestimin e 30 personave në qytetin Gomel në kufirin me Ukrainën, "me qëllim të identifikimit të lidhjeve me anëtarë të huaj të grupeve ekstremiste". Sipas Viasnas, të arrestuarit në Gomel mbeten në paraburgim në kushte të rënda.

Grupi raportoi gjithashtu ndalime masive "të pashpjegueshme" të psikologëve dhe psikiatërve bjellorusë. Më shumë se 20 mjekë janë arrestuar në të gjithë vendin dhe autoritetet "kërkojnë që ata të shkelin konfidencialitetin mjek-pacient dhe të raportojnë pacientë "të pakëndshëm" që po trajtojnë".

Gjithsej katër gazetarë janë arrestuar gjithashtu në Bjellorusi gjatë javës së kaluar.

Midis tyre janë Viachaslau Lazarau, i cili u arrestua në Vitebsk dhe po përballet me akuzat për "kontribut në aktivitete ekstremiste", dhe kameramani Pavel Padabed, i cili u arrestua në Minsk të martën për një postim në rrjetet sociale nga viti 2012. Një gazetar tjetër, Anatol Hatouchyts në Gomel, iu nënshtrua një kontrolli në shtëpi.

Një goditje gjithëpërfshirëse ndaj disidencës në Bjellorusi u ndërmor nga autoritetet në vitin 2020 dhe ka vazhduar qysh atëherë. Ajo erdhi si përgjigje ndaj protestave masive që pasuan zgjedhjet e gushtit 2020 që i dhanë Lukashenkos një mandat të ri në detyrë. Politikanët e opozitës dhe vendet perëndimore i denoncuan rezultatet si një mashtrim.

Lukashenko, një aleat i vjetër i presidentit rus Vladimir Putin, i cili mbështeti pushtimin rus të Ukrainës, ka qeverisur ish-vendin sovjetik me një dorë të hekurt që nga viti 1994. Më shumë se 35,000 njerëz u arrestuan dhe mijëra u rrahën nga policia mes protestave, më të mëdhatë mbajtur ndonjëherë në vend.

XS
SM
MD
LG