Lidhje

Java e punës katër-ditore në SHBA nuk do të ndodhë brenda natës 


Sipas studimeve të fundit, puna katër ditë në javë në vend të pesë ditëve, mund të përmirësojë mirëqenien e përgjithshme të njerëzve. Sfida, megjithatë, është nëse bizneset mund të ruajnë të njëjtin nivel produktiviteti në periudha më të shkurtra kohore. Korrespondentja Veronica Balderas Iglesias e Zërit të Amerikës foli me ata që kanë eksperimentuar me këtë formulë.

Java e punës katër-ditore në SHBA nuk do të ndodhë brenda natës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:57 0:00

Ideja për të punuar tetë orë në ditë për vetëm katër ditë në javë, por për të fituar të njëjtën pagë, e tërheq shumë dentisten Iria Ondo.

"Nëse keni një biznes tjetër, mund të punoni aty ose të pushoni në shtëpi, të kaloni kohë me familjen tuaj".

Por për James Rogers, i cili zotëron një biznes ndërtimi në Dakotën e Jugut, formula nuk do të funksiononte domosdoshmërisht.

"Ne kemi nevojë për javë më të gjata të punës vetëm për të përfunduar punën që kemi në kohë".

Në vitin 2022, organizata jofitimprurëse 4 Day Week Global dhe partnerët e saj drejtuan disa programe pilot gjashtëmujore në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ata vunë në dukje disa përfitime të orarit të shkurtuar të punës, duke përfshirë më pak lodhje dhe pagjumësi të punëtorëve dhe një rënie prej 65% të mungesave në punë… tha bashkëthemeluesja e organizatës Charlotte Lockhart.

“Statistikat e mirëqenies janë me të vërtetë të dukshme, por gjithashtu ajo që kemi gjetur është se produktiviteti në bizneset që e kanë vazhduar programin ose ka mbetur i njëjtë ose është rritur”.

Kongresmeni demokrat Mark Takano riparaqiti së fundmi një propozim për të vendosur një javë pune 32-orëshe në mbarë vendin pa ulje page. Deri më tani, ai nuk ka mbështetjen e republikanëve që propozimi të bëhet ligj dhe ai pranon se detajet ende duhet të përpunohen.

“Do të jetë ndryshe për hidraulikët, marangozët dhe njerëzit që punojnë në linjën e montimit. Se si do të vihet e gjithë kjo në një ekuilibër pagash, nuk i kam të gjitha përgjigjet për këtë”, tha ligjvënësi Mark Takano.

Ai është i bindur se është koha e duhur për të debatuar idenë.

“Për shkak të pandemisë, për shkak se njerëzit u mësuan me fleksibilitete të reja pune, ata përjetojnë mënyra të reja për të bërë gjëra sepse iu desh. Ajo që ne po zbulojmë është se njerëzit nuk duan të kthehen në mënyrat e vjetra. Ata duan një normalitet të ri”.

Firma e marketingut dhe reklamave dixhitale Liquified Creative provoi eksperimentin katërditor të javës së punës për disa vjet, duke filluar nga viti 2020. Drejtori ekzekutiv Shawn Noratel tha se ishte një udhëtim me vështirësi.

“Ishte shumë stresues për punonjësit, sepse ata po përpiqeshin të bënin 40 orë punë, në një javë pune 32-orëshe. Gjithashtu të ishe në gjendje t'u përgjigjeshe klientëve ishte shumë e vështirë”.

Meqenëse të dhënat janë ende të pakta, një pilot i ri do të nisë në SHBA më vonë këtë vit për të hulumtuar më tej përfitimet dhe disavantazhet e orëve të reduktuara të punës. Organizata 4 Day Week Global po planifikon gjithashtu të nisë programe pilot në Australi, Zelandën e Re dhe Brazil.

XS
SM
MD
LG