Në Mal të Zi banorët votojnë në zgjedhjet presidenciale, ku të drejtë vote kanë mbi 542 mijë qytetarë.
Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në 20:00, ndërkohë që në garë janë shtatë kandidatë të forcave politike që veprojnë në Mal të Zi.
Zgjedhjet po zhvillohen të qeta dhe pa ndonjë parregullsi të theksuar. Vëzhguesit dhe kryetarët e qendrave të votimit vlerësojnë se procesi zgjedhor ka një mbarëvajtje të duhur si në aspektin teknik ashtu edhe në përgatitjen e materialit zgjedhor.
Kryetari i qendrës së votimit në Ulqin, Nikola Lagator tha se “procesi zgjedhor po zhvillohet jashtëzakonisht mirë. Kemi pasur disa vonesa për shkaqe teknike, por çdo gjë është në nivelin e duhur”.
Edhe kryeministri në qeverinë teknike në Malin e Zi, Dritan Abazoviç i vlerësoi zgjedhjet presidenciale, të cilat, siç tha ai, po zhvillohen në një atmosferë të mirë.
“Siç e shihni edhe vetë, sidomos në Ulqin, por edhe në tërë Malin e Zi atmosfera është jashtëzakonisht e mirë. Shpresoj që kështu do të jetë deri në mbylljen evendvotimeve dhe të shpallen rezultatet paraprake të zgjedhjeve”, tha zoti Abazoviç.
Këto janë zgjedhjet e katërta presidenciale që nga rivendosja e pavarësisë, por kësaj here zgjedhjet presidenciale po zhvillohen në një mjedis krize institucionale dhe politike, atëherë kuptohet se këto zgjedhje shihen si tejet të rëndësishme për të ardhmen e vendit.
Anlisti Sami Flamuri vuri në dukje se këto zgjedhje do të jenë shumë interesante dhe të rëndësishme për qytetarët.
“Është shumë interesante të shihet se si do të vijojnë zgjedhjet më tutje, po atë që duhet bërë është që të gjithë shqiptarët të vetëdijesohen , të dalim të votojmë dhe të shprehim vullnetin e popullit sepse është një e drejtë që është fituar me mund të madh”, tha zoti Flamuri.
Edhe votuesi në qendrën e votimit numër 4 në Ulqin tha se këto zgjedhje janë mjaftë të politizuara.
“Është një krizë politike shumë e madhe. Qytetarët janë të ndarë në dy palë, si në anën serbe ashtu edhe në atë malazeze. Kush të fitojë le të fitojë”, tha votuesi.
Gara e fuqishme zgjedhore pritet që të zhvillohet mes kandidatit të opozitës pro-malazeze dhe të kandidatëve pro-serb.
President i Malit të Zi do të zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të vlefshme të votuesve.
Nëse asnjë kandidat nuk merr numrin e duhur të votave, raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet brenda 14 ditësh.
Në raundin e dytë marrin pjesë dy kandidatët që kanë fituar numrin më të madh të votave.
Viteve të fundit, shumica e paqëndrueshme dhe heterogjene parlamentare zëvendësoi dy qeveri, të cilat e zhytën Malin e Zi në një krizë institucionale dhe thelluan më tej ndarjet në skenën politike.
Që nga viti 2020, nuk ka pasur progres të mëtejshëm në procesin e negociatave të ngushta për shkak të rezultateve të pamjaftueshme në procesin e reformës.
Për këtë arsye faktori ndërkombëtar në vazhdimësi ka shprehur shqetësimin për krizën e zgjatur politike në vend, bllokimin e institucioneve, polarizimin në rritje të shoqërisë dhe pamundësinë e autoriteteve për të gjetur një rrugëdalje nga kriza.