Në Shqipëri, policia e kryeqytetit njoftoi të mërkurën se kishte goditur dy grupe të organizuar të cilët shpërndanin lëndë narkotike, që nga cannabisi te heroina dhe kokaina, kryesisht në lokalet e natës apo dhe pranë disa shkollave dhe mjedise që frekuentoheshin nga të rinj.
“Pas një hetimi tremujor, me metoda speciale, u siguruan prova ligjore për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të dy grupeve që përbëheshin nga 24 persona. Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Harta”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u vunë në pranga 20 persona si dhe u shpallën në kërkim 4 të tjerë”, bëri të ditur Drejtori i policisë së Tiranës Tonin Vocaj.
Gjatë operacionit u sekuestruan 2.1 kilogramë kokainë, 300 doza kanabis, 130 doza heroinë, shuma parash rreth 5 milionë lekë të vjetra, 1700 euro, 11 automjete dhe 29 aparate celulare.
Sipas policisë shitësit e drogës vepronin të ndarë në grupe të vogla dhe shpërndanin lëndë narkotike në zona të ndryshme të Tiranës dhe Kamzës. “Nga hetimet rezulton se pjestarët e këtyre grupeve kriminale përdornin mesazhe të koduara dhe kryesisht qarkullonin me automjete të transportit publik për të shmangur kontrollet e befasishme të Policisë, shpjegoi drejtori Vocaj.
Që nga fillimi i këtij viti policia e kryeqytetit, ka finalizuar 5 procedime proaktive në bashkëpunim me Prokurorinë,duke sekuestruar mbi 6 kilogramë kokainë e heroinë dhe rreth 80 kilogramë kanabis, ndërsa mbi 20 persona janë arrestuar.