Lidhje

Kontraktori amerikan vritet në bazën e Sirisë; SHBA hakmerret kundër objekteve të forcave iraniane


Secretary of Defense Lloyd Austin, left, listens to Chairman of the Joint Chiefs Gen. Mark Milley speak during a briefing at the Pentagon in Washington, March 15, 2023.
Secretary of Defense Lloyd Austin, left, listens to Chairman of the Joint Chiefs Gen. Mark Milley speak during a briefing at the Pentagon in Washington, March 15, 2023.

UASHINGTON - Presidenti Joe Biden tha se SHBA nuk kërkon konflikt me Iranin, por do të përgjigjet “me forcë” për të mbrojtur personelin e saj në Siri dhe gjetkë.

Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi një kontraktor amerikan u vra dhe gjashtë amerikanë të tjerë u plagosën në një sulm për të cilin fajësohen grupet e lidhura me Iranin në Sirinë verilindore.

Presidenti Biden thotë se ai urdhëroi një sulm ajror hakmarrës në vendet e përdorura nga grupet e lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit. Duke folur në Otava të Kanadasë, ku ndodhet në një vizitë shtetërore, presidenti Biden shprehu “ngushëllimet më të thella” për familjen e amerikanit të vrarë..

Pentagoni tha se kontraktori u vra të enjten në një bazë të koalicionit në Sirinë verilindore në një sulm nga një dron që komuniteti i inteligjencës vlerësoi se ishte "me origjinë iraniane".

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha në një deklaratë se SHBA-të u kundërpërgjigjën me sulme precize "proporcionale dhe të qëllimshme" të enjten në Siri kundër objekteve të përdorura nga grupet e lidhura me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.

“Sulmet ajrore u kryen në përgjigje të sulmit të sotëm, si dhe një serie sulmesh të fundit kundër forcave të koalicionit në Siri nga grupet e lidhura me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit”, tha sekretari Austin.

"Asnjë grup nuk do të godasë trupat tona pa u ndëshkuar," shtoi ai.

Sipas Pentagonit, droni goditi një objekt mirëmbajtjeje në një bazë në Hasaka, të Sirisë, në orën 13:38 sipas kohës lokale.

Gjashtë amerikanë të tjerë u plagosën në sulm, duke përfshirë pesë anëtarë të shërbimit amerikan. Dy nga pjesëtarët e shërbimit të plagosur u trajtuan në vend, ndërsa tre të tjerë dhe kontraktori amerikan u evakuuan në objektet mjekësore të koalicionit në Irak, sipas deklaratës së ushtrisë amerikane.

Shtetet e Bashkuara kanë rreth 900 trupa në Sirinë lindore që ndihmojnë forcat kurde siriane të parandalojnë rigjallërimin e grupit terrorist të Shtetit Islamik.

Shefi i Shtatëmadhorisë amerikane, gjenerali Mark Milley, oficeri më i lartë ushtarak i SHBA-së dhe kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së, e cila mbikëqyr operacionet ushtarake të SHBA-së në Lindjen e Mesme, paralajmëroi ligjvënësit në seanca të veçanta të enjten se Irani vazhdon të destabilizojë Lindjen e Mesme përmes mbështetje për grupet terroriste.

Sipas komandantit të CENTCOM, gjeneralit Erik Kurilla, përfaqësuesit iranianë kanë sulmuar trupat amerikane në Irak dhe Siri 78 herë duke përdorur dronë dhe raketa që nga janari i vitit 2021.

"Ky ishte një tjetër sulm në një seri sulmesh ndaj trupave tona dhe forcave partnere," tha gjenerali Kurilla të enjten vonë.

“Ne gjithmonë do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur popullin tonë dhe gjithmonë do të përgjigjemi në kohën dhe vendin që do të zgjedhim. Ne jemi të vendosur për opsione të shkallëzuara përballë çdo sulmi iranian, "shtoi ai.

XS
SM
MD
LG