Lidhje

Parlamenti i Turqisë ratifikon anëtarësimin e Finlandës në NATO


Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti finlandez Sauli Niinisto gjatë një konference të përbashkët në Ankara, më 17 mars 2023.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti finlandez Sauli Niinisto gjatë një konference të përbashkët në Ankara, më 17 mars 2023.

Parlamenti i Turqisë ratifikoi të enjten kërkesën e Finlandës për t'u anëtarësuar në NATO, duke hequr pengesën e fundit në rrugën e përfshirjes së vendit nordik në aleancën ushtarake perëndimore.

Të gjithë 276 ligjvënësit e pranishëm votuan në favor të kërkesës së Helsinkit, disa ditë pasi parlamenti i Hungarisë miratoi gjithashtu pranimin e Finlandës në NATO.

“Kjo do ta bëjë të gjithë familjen e NATO-s më të fortë dhe më të sigurt”, shkroi Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, duke përshëndetur veprimin e Turqisë.

Të alarmuar nga agresioni rus në Ukrainë një vit më parë, Finlanda dhe Suedia braktisën politikën e tyre të neutralitetit dhe kërkuan anëtarësimin në NATO.

Anëtarësimi kërkon pajtim të njëzëshëm të 30 vendeve anëtare dhe Turqia dhe Hungaria janë dy vendet e fundit anëtare të NATO-s që ratifikuan pranimin e Finlandës.

Kërkesa e Suedisë për t'u bashkuar me aleancën, ka mbetur pezull, me Turqinë dhe Hungarinë që po zvarrisin pajtimin, pavarësisht se shprehin mbështetje për zgjerimin e NATO-s.

Qeveria e Turqisë akuzon Suedinë se është shumë e butë ndaj grupeve që i konsideron si organizata terroriste dhe kërcënimeve të sigurisë, përfshirë grupet militante kurde dhe personat e lidhur me një përpjekje për grusht shteti të vitit 2016.

Qeveria e Hungarisë pretendon se disa politikanë suedezë kanë bërë deklarata tallëse në lidhje me gjendjen e demokracisë hungareze dhe kanë luajtur një rol aktiv në sigurimin që miliarda fonde të Bashkimit Evropian të ngriheshin për shkak të shkeljeve të supozuara në fushën e sundimit të ligjit dhe demokracisë.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se mirëpret veprimin e Turqisë për Finlandën dhe e inkurajoi atë që të ratifikojë shpejt edhe anëtarësimin e Suedisë.

"Suedia dhe Finlanda janë partnere të forta dhe të afta që ndajnë vlerat e NATO-s, do të forcojnë Aleancën dhe do të kontribuojnë në sigurinë evropiane", tha një zëdhënës i departamentit.

Kryeministrja finlandeze Sanna Marin, menjëherë pas votimit në parlamentin turk, tha se "Finlanda qëndron me Suedinë tani dhe në të ardhmen dhe mbështet kërkesën e saj”, për anëtarësim në NATO.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s shpresojnë që dy vendet nordike të bëhen anëtarë të aleancës në takimin e nivelit të lartë të NATO-s që do të mbahet më 11 korrik në Vilnius të Lituanisë.

XS
SM
MD
LG