Lidhje

Ish-Kryeministri Berluconi shtrohet në spital


Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi u shtrua të mërkurën në spital, në reanimacion, për shkak të një problemi të lidhur me një infeksion të mëparshëm.

Ministri italian i Shëndetësisë tha se zoti Berluconi ishte në gjendje të vetëdijshme dhe i aftë të fliste.

86-vjeçari, tre herë kryeministër i Italisë, është shtruar në spitalin San Raffaele të Milanos, klinika ku ai merr vazhdimisht trajtim mjekësor, tha Ministri i Jashtëm Antonio Tajani, i cili është gjithashtu udhëheqës i Partisë Forza Italia të zotit Berlusconit.

Duke folur nga Brukseli, zoti Tajani tha se ish-kryeminsitri Berlusconi u shtrua për shkak të një "problemi të patrajtuar " që lidhej me një infeksion të mëparshëm. Zoti Berlusconi ka pasur një sërë problemesh shëndetësore në vitet e fundit, më i vështiri përballja me COVID-19 në vitin 2020.

Ai qëndroi shtruar në spital për 10 ditë dhe kur doli u tha gazetarëve se sëmundja kishte qenë "tinzare" dhe ishte sfida më e rrezikshme me të cilën ishte përballur.

Për vite me radhë ai ka mbajtur një aparat që ndihmon në funksionimin e zemrës. Në vitin 2016 ai iu nënshtrua një operacioni në zemër për të zëvendësuar valvulën e aortës dhe ka mposhtur kancerin e prostatës. Në janar 2022 ai pati një infeksion në sistemin urinar.

Zoti Berlusconi ishte javën e kaluar për një kontroll të rregullt në spitalin San Raffaeles, ku punon mjeku i tij personal.

Zoti Berlusoni u rikthye në politikë në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit të shkuar ku fitoi një vend në Senatin italian, një dekadë pasi u ndalua të mbante detyrë publike pas dënimit për mospagesë taksash.

XS
SM
MD
LG