Ligjvënësit republikanë në shtetin amerikan Tenesi, ndërmorën një veprim të rrallë duke përjashtuar dy ligjvënës demokratë nga organi legjislativ i këtij shteti. Dhoma e Përfaqësuesve votoi dje në mbrëmje për përjashtimin e tyre, për shkak të pjesëmarrjes së dy ligjvënësve demokratë, në një protestë ku kërkohej më shumë kontroll ndaj armëve të zjarrit.
Ligjvënësit morën pjesë në një protestë javën e kaluar në organin legjislativ të shtetit, duke bërë thirrje për më shumë kontroll ndaj armëve të zjarrit, pas sulmit të përgjakshëm në një shkollë në Nashville, ku u vranë tre punonjës të saj si dhe tre nxënës, 9-vjeçarë.
Një ligjvënëse e tretë i mbijetoi votimit për përjashtimin e saj.
"Ajo që po bën Tenesi është rrëmbim i pushtetit, po përjashtoni tre ligjvënës, kolegët tuaj, thjesht sepse i keni numrat për ta bërë këtë. Një javë pasi komuniteti ynë u godit nga një sulm në masë me armë, veprimi që ndërmerr ky organ legjislativ, ose kolegët e mi, por të partisë tjetër, është të na përjashtojë për shkak se po flasim për çështjen e pranisë së armëve sulmuese në rrugët tona. Ne po u bëjmë thirrje të gjithëve që t’i ndalin armët sulmuese dhe ju përgjigjeni me një sulm ndaj demokracisë", tha ligjvënësi i përjashtuar demokrat, Justin Jones.
Ligjvënësit e përjashtuar, Jones dhe Justin Pearson, janë afrikano-amerikanë. Ligjvënësja e tretë, Gloria Johnson, e cila i mbijetoi votimit për përjashtim është një grua e bardhë. Udhëheqësit republikanë, megjithatë, kanë mohuar se raca kishte ndonjë lidhje me përjashtimet e ligjvënësve.
Në një postim në Twitter Presidenti amerikan Joe Biden shkruante: “Tre fëmijë dhe tre zyrtarë të një shkolle vriten në një tjetër sulm në masë. Dhe ku po përqëndrohen zyrtarët e Partisë Republikane?! Tek ndëshkimi i ligjvënësve që iu bashkuan mijëra protestuesve paqësorë që bënin thirrje për veprim. Është tronditëse, jodemokratike dhe e pashembullt”.
Dy ligjvënësit e përjashtuar mund të mos jenë largë Dhomës së Përfaqësuesve për shumë kohë. Komisionet e qarqeve në rrethet e tyre duhet të zgjedhin zëvendësuesit e tyre deri në mbajtjen e zgjedhjeve speciale.
Ligjvënësit e përjashtuar kanë të drejtë të emërohen për të shërbyer përsëri në postet e tyre. Ata gjithashtu kanë të drejtë të kandidojnë në zgjedhjet speciale. Sipas Kushtetutës së shtetit Tenesi, ligjvënësit nuk mund të përjashtohen për të njëjtën vepër dy herë.