Lidhje

KFOR-i dënon plagosjen e një qytetari serb në veriun e Kosovës


Forcat paqeruajtëse të NATO-s dënuan të mërkurën incidentin e natës ndërmjet së hënës dhe të martës në të cilin një serb i Kosovës u plagos me armë zjarri në komunën e Zveçanit, një nga katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

“KFOR-i pret që institucionet në Kosovë të kryejnë një hetim të plotë të ngjarjeve dhe t'i vënë përgjegjësit para drejtësisë”, thuhet në një reagim të forcave paqeruajtëse.

Inspektorati Policor i Kosovës tha të martën në mbrëmje se ka arrestuar katër pjesëtarë të policisë, në kuadër te hetimeve rreth një incidenti në të cilin një pjesëtar i komunitetit serb mbeti i plagosur në veriun e banuar me shumicë serbe.

Mëngjesin e së martës policia kishte mohuar përfshirjen e saj në plagosjen e qytetarit serb, ndërsa pasditen e së martës tha se janë siguruar dëshmi mbi dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në të shtëna me armë zjarri dhe vendosi pezullimin e më pas arrestimin e katër pjesëtarëve të saj.

Incidenti ndodhi në një postbllok të policisë së Kosovës në komunën e Zveçanit. I plagosuri është duke u trajtuar në spitalin e Mitrovicës së Veriut dhe është jashtë rrezikut.

Incidenti u dënua edhe nga diplomatët amerikanë dhe evropianë në Prishtinë.

Forcat e NATO-s thanë se KFOR-i vazhdon të vëzhgojë situatën dhe është plotësisht i përqendruar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të mbështetur në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Të mërkurën në vendin ku ka ndodhur incidenti, grupe qytetarësh serbë protestuan të mërkurën duke kërkuar largimin e forcave të posaçme të policisë së Kosovës nga komunat veriore.

Protesta përfundoi e qetë, ndërsa pjesëmarrësit thanë se po mbledhin nënshkrimet në një peticion për largimin e njësive të posaçme të policisë nga zona, kërkesë e cila është përsëritur nga zyrtarët e Beogradit të cilët akuzuan autoritetet në Prishtinë për dhunë ndaj pjesëtarëve të komunitetit serbë në zonën e trazuar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se e ka njoftuar të mërkurën ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill se situata për serbët që jetojnë në Kosovë po bëhet gjithnjë e më e vështirë, sepse ata janë të ekspozuar pothuajse çdo ditë ndaj sulmeve, arrestimeve dhe trysnive të tjera. Në një njoftim të zyrës së tij thuhet se presidenti serb theksoi pakënaqësinë në rritje të qytetarëve për shkak të “veprimeve të njëanshme të autoriteteve në në Prishtinë dhe mungesës së reagimeve të duhura nga bashkësia ndërkombëtare”.

Presidenti serb dhe qeveria e tij pritet të takohen të enjten në një qytet në Serbinë jugperëndimore me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës për të hartuar si është thënë, një platforme të përbashkët rreth situatës në veriun e Kosovës.

Diplomatët perëndimorë u kanë bërë thirrje Beogradit dhe Prishtinës të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre sipas një marrëveshjeje të arritur ne Ohër muajin e kaluar.

Forcat paqeruajtëse thanë se përparimi drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është thelbësor për sigurinë afatgjate në Kosovë dhe qëndrueshmërinë rajonale.

“KFOR-i mirëpret marrëveshjet e fundit të ndërmjetësuara nga BE-ja në këtë drejtim dhe inkurajon të dyja palët të zbatojnë detyrimet e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në një komunikatë të forcave të drejtuara nga NATO-ja.

XS
SM
MD
LG