Lidhje

FBI arreston anëtarin e Gardës Kombëtare, të dyshuar për publikimin e dokumenteve sekrete


Anëtari i Gardës Kombëtare të Masaçusetsit, Jack Teixeira, u arrestua të enjten në lidhje me rrjedhjen e dokumenteve ushtarake shumë sekrete në lidhje me luftën në Ukrainë dhe çështje të tjera madhore të sigurisë kombëtare amerikane, një shkelje alarmante që ka ngritur pyetje të reja në lidhje me aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur sekretet më të ndjeshme.

21-vjeçari Teixeira u arrestua në shtëpinë e tij në Masaçusets nga oficerët e FBI-së pa bërë rezistencë. Akuzat ndaj tij do të ngrihen në bazë të një dispozite të Ligjit për Spiunazhin, që e konsideron krim marrjen ose transmetimin e informacionit të klasifikuar të mbrojtjes kombëtare, tha pas arrestimit Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.

Zoti Garland nuk dha ndonjë motiv të mundshëm për nxjerrjen e informacioneve, por persona që kishin komunikuar me të në platformën e komunikimeve private Discord, ku u shfaqën dokumentet, kanë thënë se zoti Teixeira ishte më i motivuar nga dëshira për të shitur mend, sesa ideologjia.

Arrestimi i së enjtes ishte një moment kyç në hetimin për rrjedhjen e informacionit të zbulimit të profilit më të lartë prej vitesh dhe ushtria dhe Departamenti i Drejtësisë po vazhdojnë të hetojnë se si ka mundësi që sekretet qeveritare të publikuara në një platformë private si Discord, qarkulluan në mbarë botën.

Fakti që anëtari i Gardës Kombëtare rezultoi si i dyshuari kryesor, po shtron pyetjen se si ka mundësi që një shkelje kaq e rëndë, që Pentagoni e quajti një "rrezik shumë serioz për sigurinë kombëtare", mund të jetë shkaktuar nga një pjesëtar kaq i ri dhe i një rangu të ulët.

Zoti Teixeira ishte specialist i sistemeve të transportit kibernetik, që do të thotë një specialist i teknologjisë, përgjegjës për rrjetet e komunikimeve ushtarake.

Disa orë pas arrestimit, kryetari i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Turner, lëshoi një deklaratë ku premtoi se do të "analizojë se pse ndodhi kjo, pse kaloi pa u vënë re për javë të tëra dhe si të parandalohen rrjedhjet në të ardhmen".

Zoti Teixeira, do të paraqitet para një gjykate në Masaçusets të premten. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse ai ka një avokat që mund të flasë në emër të tij.

Administrata e presidentit Biden ka bërë përpjekje intensive për të vënë nën kontroll pasojat e mundshme diplomatike dhe ushtarake nga rrjedhjet që kur u njoftua për herë të parë për to javën e kaluar, duke marrë masa për të siguruar aleatët dhe për të vlerësuar përmasat e dëmit.

Dokumentet e klasifikuara – të cilat nuk janë konfirmuar nga zyrtarët amerikanë – variojnë nga informacione që tregojnë pozicionet ushtarake të Ukrainës deri te vlerësimet e mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën dhe tema të tjera të ndjeshme, përfshirë rrethanat kur Presidenti rus Vladimir Putin mund të përdorë armë bërthamore.

XS
SM
MD
LG