Lidhje

Ministrat e G7, thirrje për tërheqjen e Rusisë nga Ukraina; BE diskuton për drithin ukrainas


Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë vendeve me të industrializuara të botës ripohuan të hënën angazhimin e tyre për të mbështetur fuqishëm Ukrainën. Ata theksuan gjithashtu nevojën për intensifikim dhe koordinin në zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë.

Në takimin që po zhvillohet në Japoni, grupi i bëri thirrje Rusisë të tërheqë menjëherë dhe pa kushte nga Ukraina, të gjitha trupat dhe pajisjet ushtarake.

Ministri i Jashtëm japonez Hayashi Yoshimasa tha se është e rëndësishme të ruhet uniteti në zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë.

Ministrat e G-7 dënuan të hënën njoftimin e bërë muajin e kaluar nga Presidenti Vladimir Putin, për dislokim të armëve taktike bërthamore ruse në Bjellorusi. Ata e cilësuan retorikë të papërgjegjshme dhe të papranueshme nga ana e Rusisë.

Rusia ishte dikur anëtare e grupit të G-8-ës, por u dëbua pas aneksimit të gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Të hënën një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit u tha gazetarëve se mes vendeve të grupit, kishte unitet edhe mbi qëndrimin ndaj Kinës, sikurse interesim të madh për t’u siguruar që Pekini të përmbushë angazhimin e bërë ndaj komunitetit ndërkombëtar, se nuk do të furnizojë me armë Rusinë.

Zyrtari tha se G-7 diskutoi gjithashtu lidhur me sigurinë afatgjatë dhe nevojën për investimeve në Ukrainë.

Bashkimi Evropian diskuton për drithin ukrainas

Ambasadorët e Bashkimit Evropian në Bruksel diskutuan të hënën një vendim të disa vendeve anëtare për të ndaluar përkohësisht importin e drithit dhe artikujve të tjerë nga Ukraina.

Sllovakia iu bashkua të hënën Polonisë dhe Hungarisë në shpalljen e ndalimit të disa importeve të ushqimeve nga Ukraina, me vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore që thonë se mund ta ndjekin këtë shembull.

Tre vendet argumentojnë se një sasi e madhe e importeve bujqësore me çmim të ulët po dëmton fermerët e tyre. Polonia dhe Hungaria të shtunën thanë se masat e tyre të ndalimit do të mbeten në fuqi deri më 30 qershor.

Zëdhënësit e krahut ekzekutiv të BE-së thanë të hënën se duhet gjetur një zgjidhje që respekton kuadrin ligjor të BE-së, raportoi agjencia e lajmeve Associated Press.

Kërcënimi nga minat

Në një njoftim të hënën të Ministrisë britanike të Mbrojtjes theksohej numri në rritje i vdekjeve mes popullatës civile në Ukrainë, si pasojë e minave.

Në njoftim thuhej se problemi është më i madh në zonat e pushtuara më herët nga trupat ruse, si në Kherson dhe Kharkiv dhe, se rreziku do të rritet, me fillimin e aktiviteteve në bujqësi.

Që nga fillimi i sulmit janë raportuar mbi 750 viktima civile si pasojë e minave, një në tetë nga të cilët fëmijë. Me gjasë do të duhet të paktën një dekadë për ta pastruar Ukrainën nga minat”, thanë autoritetet britanike.

XS
SM
MD
LG