Lidhje

Stresi, pasiguria dhe shëndeti mendor tek vajzat adoleshente në SHBA


Studime të shumta tregojnë se moshat e reja në Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një periudhë krize, duke u përballur me sfida të papara të shëndetit mendor që po ndikojnë veçanërisht tek vajzat adoleshente. Ankthi për rezultatet në shkollë. Pasojat e shkaktuara nga pandemia dhe ndikimi negativ i medias sociale.

Një raport i fundit i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tregon se pothuajse 60% e vajzave amerikane thanë se ndjenin trishtim dhe dëshpërim të vazhdueshëm.

Shifrat tregojnë rritje edhe për djemtë, me rreth gjysmën e tyre. Prindërit kanë teoritë e tyre për këto probleme, por çfarë thonë vetë adoleshentët?

A janë mediat sociale në thelb të problemeve të tyre? A gëzojnë pak më shumë imunitet djemtë, apo janë pjesë e problemit?

Agjencia e lajmeve Associated Press intervistoi pesë vajza në katër shtete dhe ra dakord të publikonte vetëm emrat e tyre për shkak të natyrës së ndjeshme të bisedave.

Adoleshentet ofruan mendime të kthjellëta dhe në disa raste befasuese.

16-vjeçarja Amelia është nga shteti i Ilinoit. Asaj i pëlqen të këndojë dhe dëshiron të bëhet kirurge. “Ne jemi shumë të forta dhe përjetojmë shumë gjëra”, thotë ajo.

Amelia vuan nga depresioni dhe ankthi. Ashtu si 13% e vajzave të shkollave të mesme të anketuara për raportin e qeverisë, ajo ka tentuar vetëvrasje.

Trajtimi në spital dhe terapia e ndihmuan atë pas tentativës në vitin 2020. Por Amelia është përballur gjithashtu edhe me ngacmime, miqësi toksike dhe kërcënime nga një djalë në shkollë, se ajo "e meritonte të përdhunohej".

Më shumë se 1 në 10 vajza thonë se ishin detyruar të kryenin marrëdhënie intime, sipas raportit nga CDC, rritja e parë e vërejtur në sondazhin periodik të qeverisë. Kërcënimet seksuale janë vetëm një nga barrat me të cilat përballen vajzat adoleshente.

“Ne po përpiqemi të mbijetojmë në një botë që synon të na nënshtrojë”, thotë Amelia.

18-vjeçarja Emma nga Xhorxhia, e cila dëshiron të bëhet artiste, ka çrregullime të përqendrimit të vëmendjes dhe herë pas here vuan nga depresioni. Ajo thotë se stresohet për rezultatet në shkollë dhe arsimin e lartë.

“Kohët e fundit kam vënë re tek vetvetja dhe miqtë e mi se sa të rraskapitur jemi nga problemet që ka bota, çështjet sociale dhe si do të jetë e ardhmja”, thotë Emma. “Të gjitha këto probleme mblidhen dhe të shtypin”.

E rritur vetëm nga mamaja e saj, 15-vjeçarja Zoey jeton në shtetin Misisipi. Pavarësisht dashurisë së madhe, nëna e saj është e rreptë dhe ushtron presion ndaj saj që të jetë e suksesshme në shkollë dhe jetë.

“Shkolla mund të jetë stresuese dhe kjo ndikon kaq shumë tek shëndeti mendor, saqë nuk e kupton, derisa e gjen veten në një pikë ku nuk di se çfarë të bësh”. Zoey thotë se ka patur probleme me shoqërinë e saj, gjë që e shtyu në depresion dhe ndjehej e shqetësuar pasi ishte e vetmja afrikano-amerikane në klasë.

Disa vajza thanë se përballen me presion të shtuar nga standardet e shoqërisë që përqendrohen shumë tek paraqitja e jashtme.

“Shumë njerëz i shohin trupat e grave dhe vajzave si objekte seksuale”, thotë Emma. “Është një barrë e rëndë për ne kur mblidhen të gjitha”.

Lëvizja #MeToo filloi kur këto vajza ishin mjaft të reja, por ajo u intensifikua gjatë pandemisë dhe vajzat janë të vetëdijshme lidhur me ngacmimet seksuale.

Djemtë janë më pak të vetëdijshëm, thonë vajzat. Ato përmendin shaka vulgare, prekje të papërshtatshme, kërcënime seksuale ose dhunë të vërtetë. Vajzat thonë se vëmendja e padëshiruar ndaj tyre është një barrë e rëndë.

Siya, një 18-vjeçare në Nju Xhersi, thotë se pothuajse çdo vajzë që ajo njeh është përballur me ngacmime seksuale. “Kjo është bërë normalja e re për mua”, thotë ajo.

“Kur eci vetëm, automatikisht jam në këtë situatë të brishtë. Mendoj se është shumë e trishtueshme. Nuk e di se si është të mos kesh atë frikë”, thotë Siya.

Makena, gjimnaziste në vitin e katërt të shkollës së mesme në Misisipi, thotë se ajo dhe shoqet e saj ndonjëherë veshin rroba më të gjera për të fshehur format e trupit të tyre, por megjithatë djemtë bëjnë komente.

Ajo ka pasur depresion dhe ka bërë terapi. Makena thotë se është rritur në një komunitet ku ende është turp të flasësh për shëndetin mendor.

“Në komunitetin afrikano-amerikan ne nuk inkurajohemi në përgjithësi të shprehemi emocione, për shkak të asaj që kanë përjetuar brezat e mëparshme. Pritshmëritë janë që ne të kemi zemra prej çeliku. Por ndonjëherë është e pranueshme që të mos jesh e tillë”, thotë Makena.

Një studim i publikuar në mars në revistën e Shoqatës Amerikane të Mjeksësisë (The Journal of the American Medical Association) tregon se në vitin 2019, para pandemisë, rreth 60% e fëmijëve të shtruar në spital për arsye të shëndetit mendor, ishin vajza.

Raporti i publikuar në shkurt nga CDC përfshinte adoleshentët e pyetur në vjeshtën e vitit 2021, kur rastet dhe vdekjet me COVID-19 në SHBA ishin ende të larta.

XS
SM
MD
LG