Lidhje

SHBA, akuza për krijimin e një celule të fshehtë policore kineze në Nju Jork


Organet amerikane të rendit kanë arrestuar dy banorë të Nju Jorkut që dyshohet se drejtonin një “stacion policor sekret” kinez në lagjen Chinatown të Manhatanit, thuhet në një deklaratë të publikuar të hënën nga kryeprokurori federal në Bruklin. Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi se janë ngritur akuza edhe për 44 oficerë kinezë të sigurisë në lidhje me përpjekjet e Kinës për të goditur disidentët në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën.

Liu Jianwang, 61 vjeç dhe Chen Jinping, 59 vjeç, përballen me akuza për komplot për të vepruar si agjentë të qeverisë së Kinës pa informuar autoritetet amerikane dhe për pengim të drejtësisë, thanë prokurorët.

Ata pritet të dalin para gjykatës federale në Bruklin më vonë të hënën.

Akuzat vijnë ndërsa Departamenti i Drejtësisë vazhdon të zgjerojë hetimet lidhur me ato që i cilëson si përpjekje të vendeve kundërshtare si Kina dhe Irani për të frikësuar kundërshtarët e tyre politikë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

“Kjo ndjekje penale zbulon shkeljen flagrante të sovranitetit tonë nga qeveria kineze, duke krijuar një stacion policie sekrete në mes të qytetit të Nju Jorkut”, tha në një deklaratë kryeprokurori federal, Breon Peace.

Prokurorët thonë se i akuzuari Lu, në vitin 2018 kërkoi të bindte të kthehej në vendin e tij një individ të kërkuar nga qeveria kineze. Individi në fjalë kishte njoftuar organet e rendit se ishte ngacmuar dhe kërcënuar, thanë hetuesit.

Në vitin 2022, qeveria kineze i kërkoi të pandehurit Lu që të ndihmonte në gjetjen e një individi që jetonte në Kaliforni, i cili konsiderohej aktivist pro-demokracisë, thanë prokurorët.

Prokurorët thanë se dy të pandehurit kishin pranuar në FBI se i kishin fshirë të gjitha komunikimet e tyre me një zyrtar të qeverisë kineze pasi mësuan se ishin nën hetim.

Prokurorët federalë kanë ngritur padi ndaj mbi dhjetë shtetasish kinezë dhe të tjerë nën akuzat për vëzhgim dhe shqetësim të disidentëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Në disa raste ka patur edhe përpjekje për riatdhesim me forcë të individëve të kërkuar nga qeveria kineze.

Arrestimet vijnë pasi drejtori i FBI-së, Christopher Wray, i tha një komisioni të Senatit amerikan në nëntor, se ishte "shumë i shqetësuar" për praninë e stacioneve të tilla në qytetet amerikane.

Ai tha se ngritja e një pranie policore në Shtetet e Bashkuara nga qeveria kineze "shkel sovranitetin" dhe anashkalon bashkëpunimin e organeve të rendit.

XS
SM
MD
LG