Lidhje

Fox dhe Dominion arrijnë marrëveshje 787 milionë dollarë lidhur me padinë për shpifje


Rrjeti televiziv “Fox News” arriti një marrëveshje të martën me kompaninë “Dominion Voting Systems” për të zgjidhur padinë për shpifje duke paguar një dëmshpërblim prej 787.5 milionë dollarësh. Marrëveshja shmangu një proces gjyqësor që pritej të ishte i gjatë. Padia ndaj rrjetit Fox nxori në pah se, një ndër kompanitë mediatike më të njohura në botë u përpoq të tërhiqte shikues duke përhapur pretendime të rreme për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Gjykatësi i çështjes mbi padinë për shpifje nga kompania “Dominion Votining Systems” kundër rrjetit televiziv “Fox News” , njoftoi të martën se palët kishin arritur një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes jashtë gjykatës. Marrëveshja për dëmshpërblimin prej 787 milionë dollarësh u njoftua nga të dy palët e përfshira në padi. Cary Coglianese është profesor i fakultetit të drejtësisë në Universitetin e Pensilvanisë.

“Është një shumë e madhe. Dëmshpërblimi më i madh në një rast të ngjashëm ka qënë 175 milionë dollarë. Marrëveshja e djeshme ishte për afro 800 milionë dollarë. Duket të jetë një marrëveshje rekord për një çështje madhore”.

Kompania “Dominion Voting Systems”, e cila prodhon pajisje elektronike për numërimin automatik të votave, ngriti një padi për shpifje kundër rrjetit televiziv “Fox News” në vitin 2021, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 1.6 miliardë dollarësh.

Drejtuesi i kompanisë Dominion, John Poulos, e quajti vendimin historik. Në thelb të padisë ishte çështja nëse rrjeti Fox ishte përgjegjës për transmetimin e pretendimeve të rreme, se makinat e numërimit të votave të firmës Dominion, ishin përdorur për të manipuluar zgjedhjet presidenciale në favor të demokratit Joe Biden duke shkaktuar humbjen e republikanit Donald Trump.

“Fox e pranon se disa nga deklaratat për Dominionin ishin të rreme, por nuk kërkon falje të plotë dhe vendimi i djeshëm nuk e ka efektin e fitores së plotë në gjykatë. Por u arrit një dëmshpërblim afro 800 milionë dollarë. Për një kompani të madhe si Dominion, dëmshpërblimi flet shumë”, thotë profesori Coglianese.

Marrëveshja e së martën shmangu paraqitjen si dëshmitarë në gjykatë dhe nënshtrimin ndaj pyetjeve të vështira të disa prej figurave më të njohura të rrjetit Fox. Në rolin e dëshmitarit do të paraqitej edhe 92-vjeçari Ruper Murdoch, themeluesi i kompanisë, si dhe gazetarët e njohur Tucker Calson, Sean Hannity dhe Jeanine Pirro.

Avokati mbrojtës, Jonathan Shapiro thotë se rezultati ishte mjaft i mirë për kompaninë Dominion, po ashtu edhe një rezultat racional i mirë për rrjetin Fox.

“Ka të bëjë me integritetin e korporatës. Gjërat shkuan keq. Komunikimet e brendshme me email sugjerojnë një mungesë totale të sinqeritetit të organizatës dhe frikë ndaj një audience të caktuar. Është një pasqyrim i tmerrshëm për një organizatë që ka qëndrime të forta dhe një të ardhme. Shtrohet pyetja se pse u pajtuan për marrëveshjen për të vazhduar drejt një dite më të mirë? Nuk kam dyshim se marrëveshja e arritur kishte prapravija të një biznesi të shëndoshë”, thotë avokati Jonathan Shapiro.

Në dokumentet e depozituara në gjykatë në muajin shkurt, firma Dominion tha se kishte gjetur një numër të madh komunikimesh të brendshme mes zotit Murdoch dhe figurave të tjera të larta, të cilët i pranojnë në rrugë private se pretendimet për manipulimin e votave nga firma Dominion, të transmetuara në Fox News, ishin të rreme.

“Rrjeti Fox po përballet me një tjetër padi për shpifje nga kompania Smartmatic që prodhon pajisje elektronike të numërimit të votave. Firma Smartmatic ka pretendime edhe më të mëdha ndaj rrjetit Fox News”, thotë profesori Coglianese.

Rrjeti Fox News u shpreh përmes një deklarate se është“i kënaqur për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me firmën Dominion. Ne i pranojmë vendimet e gjykatës që konstatojnë se disa nga pretendimet rreth Dominion-it janë të rreme. Marrëveshja pasqyron angazhimin e vazhdueshëm të FOX-it ndaj standardeve të më të larta gazetareske”, theksohet në deklaratën e rrjetit Fox News.

XS
SM
MD
LG