Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar njoftoi sot se ka lënë në fuqi vendimin e marrë në muajin nëntor nga Gjykata e Posaçme e shkallës së parë, për konfiskimin e pasurive të shumta sipërmarrësit Ylli Ndroqi, mes të cilave dhe dy stacionet televizive “Rtv Ora” dhe “Ora Neës”. Apeli u vu në lëvizje nga vetë zoti Ndroqi i cili kishte kundërshtuar konfiskimin. Avokatët e tij kanë deklaruar se sipas tyre bëhet fjalë për “një vendim të paligjshëm, të pambështetur në prova, i cili mund të shpjegohet vetëm me një prapavijë politike, për mbylljen e një medie kritike”, duke paralajmëruar një betejë të gjatë juridike deri në Gjykatën e të drejtave të njeriut në Strasburg.
Vendimi i sotëm vjen si përmbyllje e një procesi të nisur që në vitin 2020 kur fillimisht Prokuroria e Posaçme mori miratimin për sekuestrimin e pasurive të tij, pas dyshimeve për përfshirjen e tij në të kaluarën në trafik droge. Sipas Prokurorisë në vitin 1998, Ylli Ndroqi është arrestuar në Turqi nën emrin Xhemal Pasmaçiu, si pjestar i një grupi ndërkombëtar të narkotrafikut, ndërsa në vitin 2004 është referuar te autoritetet italiane si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi që përbëhej kryesisht nga shqiptarë.
Një vit më parë, ai u përfshi dhe në listën e personave ndaj të cilëve Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione për shkak se “ka shfrytëzuar mediat që dikur i ka pasur nën kontroll për të ushtruar shantazh ndaj qytetarëve shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të ndalimit të publikimit të njoftimeve negative në media”.
Pasuritë e konfiskuara përfshijnë sipërfaqe të ndryshme trojesh, njësi shërbimi, automjete luksoze, dhe aksione në të paktën 11 shoqëri tregtare. Sipas Prokurorisë vlera e tyre nuk justifikohet me burime të ligjshme, dhe se janë 3 milion euro që mbeten të pambuluara nga të ardhurat e tij. Pasuritë janë marrë në zotërim nga agjensitë shtetërore që pas vendimit të Gjykatës së Posaçme në muajin nëntor.