Lidhje

FBI paralajmëron një “pikë kthese” ndërsa shërbimet e huaja vënë në shënjestër disidentët që jetojnë në SHBA


Uashington- Beteja ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe regjimeve autoritare po shkon përtej kufijve të hapësirës kibernetike, duke u zhvilluar gjithnjë e më shumë në territor amerikan, ndërsa vende si Kina dhe Irani kanë si objektiv të operacioneve të tyre të paligjshme disidentët dhe grupet e pakicave.

Zyrtarë të lartë të kundërzbulimit të FBI-së paralajmëruan të mërkurën për taktika të reja dhe për "vijat që po tejkalohen" nga një numër në rritje vendesh, duke thënë se Shtetet e Bashkuara tani ndodhen përpara një "pikë kthese" në përpjekjet t’u mbrojtur nga operacionet shtypëse të disa shteteve.

"Ndryshimi që po përpiqemi të nxjerrim në pah ka të bëjë me rritjen e nivelit të kërcënimeve, kërcënimeve për dhunë dhe kërcënime për frikësim, të cilat i kalojnë vijat dhe që nuk i kemi ndeshur më parë," u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, duke i informuar ata pa u identifikuar, sipas udhëzimeve të përcaktuara nga Byroja Federale e Hetimit.

"Kina, Irani dhe vendet e tjera e shohin këtë si një përparësi për qëndrueshmërinë e regjimeve të tyre dhe për t'u siguruar që ato të vazhdojnë të ekzistojnë," tha një zyrtar tjetër i lartë. "Ata po e përforcojnë këtë përparësi ... ata janë më të gatshëm të vijnë dhe në tokën amerikane për të përndjekur disidentët."

Paralajmërimi i të mërkurës nga FBI-ja vjen vetëm disa ditë pasi agjentët e saj arrestuan dy banorë të qytetit të Nju Jorkut, me akuzën për krijimin e 'një stacioni policor' sekret të paligjshëm në emër të Ministrisë së Sigurisë Publike të Kinës.

“Ne nuk mund dhe nuk do të lejojmë që qeveria e Kinës të persekutojë aktivistët që mbështesin demokracinë dhe që kanë kërkuar strehim në Shtetet e Bashkuara”, tha prokurori amerikan Breon Peace ndërsa njoftoi ngritjen e akuzave ditën e hënë.

“Ne mbetemi të vendosur dhe të palëkundur për të luftuar çdo përpjekje të Partisë Komuniste Kineze për të shtypur dhe frikësuar banorët tanë,” shtoi ai.

Zyrtarët e FBI-së refuzuan të jepnin detaje se sa vende janë të përfshira në operacionet shtypëse, që përfshijnë taktika të tilla, si përndjekja, frikësimi ose sulme fizike kundër disidentëve dhe grupeve të pakicave që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

Kërcënime të shumëfishta

"Ne nuk përpiqemi as t’i ekzagjerojmë dhe as t’i minimizojnë kërcënimet" tha zyrtari i parë i FBI, duke vënë në dukje se Kina dhe Irani janë dy vendet me shkelje të mëdha ligjore.

Zyrtarë të tjerë amerikanë kanë vënë në dukje akt-akuzat kundër të dyshuarve të lidhur me Bjellorusinë, Egjiptin dhe Arabinë Saudite. Edhe shqetësimet për Rusinë janë gjithmonë të pranishme.

Por pavarësisht se cila qeveri qëndron pas këtyre akteve shtypëse, organizatat e të drejtave të njeriut janë në një mendje se kërcënimet po rriten.

Sipas të dhënave të Freedom House me qendër në SHBA, që prej vitit 2014 janë regjistruar 854 incidente fizike, të cilat përfshijnë përdorimin e forcës ndaj disidentëve që jetojnë jashtë në 91 shtete nga 38 qeveri. Vetëm në vitin 2022 u regjistruan 79 raste të tilla.

Sipas të dhënave të Freedom House, këtë listë e kryeson Kina. Gjatë nëntë viteve të fundit, ajo është përfshirë në 253 incidente, të cilat organizata “Freedom House” i përshkroi si "shtypje e drejtpërdrejtë fizike transkombëtare".

E dyta renditet Turqia, e ndjekur nga Taxhikistani, Rusia, Egjipti, Turkmenistani, Uzbekistani, Bjellorusia, Irani dhe Ruanda.

Sofistikohen teknikat e përndjekjes

FBI dhe zyrtarë të tjerë të zbatimit të ligjit paralajmërojnë gjithashtu se shumë prej këtyre vendeve po bëhen më të sofistikuara dhe më të guximshme në përpjekjet e tyre për të heshtur kritikët në SHBA.

Në raportin mbi Vlerësimin e Kërcënimeve në Mbarë Botën në fillim të këtij viti, agjencitë e inteligjencës amerikane thanë se qeveria kineze po monitoron në mënyrë aktive studentët kinezë jashtë vendit, duke mobilizuar shoqatat e studentëve kinezë për të ndihmuar në mbytjen e zërave disidentë.

Dhe kur kjo nuk mjafton, Pekini është i gatshëm "të kërkojë ndihmën e ndërmarrjeve tregtare me bazë në Kinë për të ndihmuar në vëzhgimin dhe censurimin e kritikëve të Republikës Popullore të Kinës", thuhet në raport.

Sa i përket Iranit, raporti paralajmëroi se Teherani "mbetet i përkushtuar për zhvillimin e rrjeteve të maskuara agjenturore brenda Shteteve të Bashkuara, objektiv që ai po e ndjek prej më shumë se një dekadë".

Disa prej përpjekjeve të Iranit kanë qenë lajme kryesore në Shtetet e Bashkuara, përfshirë komplote të shumta që kanë patur në shënjestër

, një aktiviste iraniano – amerikane e të drejtave të njeriut dhe prezantuese televizive në shërbimin persian të Zërit të Amerikës.

Në fillim të këtij viti, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së akuzoi tre anëtarë të një bande kriminale të Evropës Lindore për komplot me qëllim vrasjen e gazetares Alinejad jashtë shtëpisë së saj në Nju Jork.

Në një tjetër rast vitin e kaluar, prokurorët amerikanë akuzuan një anëtar të Gardës Revolucionare të Iranit për komplot për vrasjen e ish-këshilltarin të sigurisë kombëtare të SHBA-së, ambasadorin John Bolton.

Sipas Departamentit të Drejtësisë, ai "tentoi t’u paguante disa individëve në Shtetet e Bashkuara 300,000 dollarë për të kryer vrasjen në Uashington ose në Maryland".

Po ashtu, vitin e kaluar, një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë së Kinës u akuzua për përpjekje për të ndërhyrë në fushatën për zgjedhjet në Kongres të një veterani ushtarak amerikan, i cili ishte përfshirë në protestat pro-demokratike të vitit 1989 në sheshin Tiananmen.

Reagimi

Të mërkurën vonë, Ambasada e Kinës në Uashington, hodhi poshtë akuzat e FBI-së.

"Policia e Kinës nuk angazhohet në "shtypje dhe përndjekje" ndaj të ashtuquajturve "disidentë" dhe "jokonformistë", tha zëdhënësi i ambasadës Liu Pengyu përmes një reagimi me email për Zërin e Amerikës.

“Qeveria kineze respekton rreptësisht ligjin ndërkombëtar dhe respekton plotësisht sovranitetin e ligjor të vendeve të tjera”, tha ai, duke akuzuar Shtetet e Bashkura se po përpiqen “të njollosin imazhin e Kinës”.

Vende të tjera të përmendura nga zyrtarët amerikanë si të përfshirë në përpjekjet për shtypje jashtë vendit, duke përfshirë Iranin, Bjellorusinë, Egjiptin dhe Arabinë Saudite, ende nuk i janë përgjigjur kërkesave për një përgjigje ndaj akuzave të SHBA.

Zyrtarët amerikanë, megjithatë, kanë hedhur vazhdimisht poshtë reagimet mohuese si ato të Kinës.

Përgjigja amerikane

“Këto akte agresive të shtypjes së disidentëve jashtë vendit janë në shkelje të ligjeve të Shteteve të Bashkuara, cenojnë sovranitetin tonë dhe ndoshta më kryesorja, janë një sulm ndaj vlerave tona më themelore”, tha zëvendësprokurorja e përgjithshme e SHBA Lisa Monaco gjatë një fjalimi muajin e kaluar në Uashington.

"Ne do të përdorim çdo mjet për të ekspozuar taktikat shtypëse të regjimeve autokratike dhe për të detyruar agjentët e ketyre regjimeve të mbajnë përgjegjësi për veprimet e paligjshme," tha ajo. "Dhe ne do të mbështesim aleatët dhe partnerët tanë të bëjnë të njëjtën gjë."

Gjatë dy viteve të fundit, FBI ka shtuar trajnimin si për analistët edhe për oficerët e saj në terren, duke përfshirë ata që punojnë më ngushtë me aeroportet dhe sistemet e tjera të transportit, për t'i përgatitur që të kuptojnë më lehtë veprimet që mund të sinjalizojnë komplote për shtypje të disidentëve jashtë vendit.

Mirëpo, qeveritë e përfshira në operacione të tilla po gjejnë mënyra më të sofistikuara për të shuar zërat e kritikëve, duke përfshirë përdorimin në rritje nga Kina dhe Irani të hetuesve privatë, të cilët nuk janë gjithmonë të vetëdijshëm se çfarë po ndodh me ta.

"Ne kemi parë se hetues privatë nuk e kanë idenë për atë që po ndodh dhe në fakt, subjektet po përdorin kompani ndërmjetëse private për të fshehur ata që qëndrojnë pas tyre," i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i FBI-së, pa pranuar të identifikohej.

Në raste të tjera, zyrtari tha se Kina madje është përpjekur të përfshijë dhe policinë vendore.

“Kur keni çështje me zyrtarë të agjencive ligjzbatuese, ata janë të prirur t’u besojnë organeve të tjera të zbatimit të ligjit,” i tha Zërit të Amerikës zyrtari. "Pra, kur ata marrin një kërkesë nga, le të themi, një organ ligjzbatues kinez, ata do ta pranojnë atë kërkesë pa u menduar më gjatë”.

Zgjerimi i rrjetit të FBI-së

"Një nga gjërat që ne po përpiqemi të bëjmë është të vihemi në kontakt me rrjetet e hetuesve privatë, thjesht për t'i informuar ata për këtë rrezik dhe për t’u shpjeguar që, nëse marrin një kërkesë të tillë, ekziston rreziku që ajo të përfundojë në një operacion shtypës. Të njëjtën gjë po bëjmë dhe me departamentet e policisë vendore,” shtoi zyrtari.

"Po u shpjegojmë se disa nga këto vende, për arsye politike, përdorin elemente të tillë, si ”njoftime me rrezik të lartë” ku ata përndjekin dikë që nuk ndan të njëjtin mendim me ta dhe kështu ngrihen akuzat."

FBI po ashtu është vënë në kontakt me komunitetet e emigrantëve që kanë qenë në shënjestër në të kaluarën ose që ka të ngjarë të jenë në shënjestër në të ardhmen.

Tashmë, udhëzuesi i FBI-së për rrezikun për kërcënim dhe përndjekje është përkthyer në më shumë se 60 gjuhë.

Megjithatë, gjërat mund të jenë të ndërlikuara.

Zyrtarët thonë se regjimet autoritare shpesh përdorin mirë hapësirën kibernetike për të frikësuar dhe për t’u mbyllur gojën kritikëve.

“Sigurisht që ekziston si mundësi,” i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i dytë i FBI-së. "Çdo vend me burime edhe të kufizuara mund të përfshihet në të paktën ngacmime në internet me shumë pak investim ose ekspertizë."

Dhe disa regjime autoritare, si Kina dhe në një masë më të vogël Irani, madje kanë arritur që përmes kërcënimeve dhe përdorimit të parave të përdorin disidentët që janë shënjestër e tyre për të shuar zëra të tjerë kritikë.

"Kjo është pothuajse një formë e viktimizimit të dyfishtë," i tha Zërit të Amerikës zyrtari i dytë i FBI-së. "Një person mund të kërcënohet me pasoja tek të afërmit e tij në vendin autokratik nëse nuk raporton për të disidentët e e tjerë këtu në Shtetet e Bashkuara."

“Është vërtet sfiduese,” shtoi zyrtari.

XS
SM
MD
LG