Lidhje

Shqipëri, festohet Fitër Bajrami


Festohet Fiter Bajrami në Tiranë
Festohet Fiter Bajrami në Tiranë

Në Tiranë, pas një muaji agjërimi dhe sakrifica të Ramazanit, mijëra besimtarë myslimanë festuan sot Fitër Bajramin.

Ata u bashkuan herët në mëngjes për të falur namazin e Fiter Bajramit në sheshin Skënderbej në qendër të kryeqytetit, krahas shumë urime dhe biseda të gëzuara me njëri tjetrin.

Shqipëri, festohet Fitër Bajrami
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:26 0:00

Kryetari i Komunitetit Mysliman, Haxhi Bujar Spahiu, u tërhoqi vëmendjen besimtarëve tek emigrimi i shtuar vitet e fundit i të rinjve nga Shqipëria dhe u bëri thirrje atyre të frenojnë largimin nga vendi.

“Secili nga ne e ka detyrë të kontribuojë për të frenuar mpakjen e kombit. Po pakësohemi dita ditës. Ne që kemi qenë një nga popujt me moshën më të re në Europë po plakemi me ritme shumë të shpejta. Pse duhet të zgjedhim rrugën më të lehtë, braktisjen e vendit, në vend të qëndrimit këtu dhe forcimit të kombit tonë?!”, thotë zoti Spahiu.

Ai bëri thirrje që kombi shqiptar të rritet përmes virtytit dhe meritokracisë, dhe se gjithsecili të japë ndihmesën për forcimin e familjes, lindjes dhe rritjes së fëmijëve në Shqipëri.

Zoti Spahiu theksoi se Atdheu mund të bëhet më i mirë me vendosjen e një raporti të duhur nga secili qytetar me të drejtën dhe të vërtetën.

Kryetari i Komunitetit Mysliman tha se falë besimtarëve, ky komunitet ka dhënë një ndihmesë të konsiderueshme tek një nga vlerat më të rralla të Shqipërisë: harmoninë dhe dialogun ndërfetar. Ai theksoi se besimtarët duhet gjithmonë të qëndrojnë pranë dhe të ndihmojnë të varfërit.

“Ta lusim Zotin e gjithësisë se ky muaj që po lëmë pas të na ketë bërë njerëz më të mirë, të na ketë më të vëmendshëm ndaj të varfërve, ndj kategorive të margjinalizuara të shoqërisë, të jemi më të ndjeshëm dhe më solidarë me njëri tjetrin, të kujdesemi për miredukimin e fëmijëve tanë, të shtrijmë dorën e mëshirës dhe kujdesit ndaj prindërve, fqinjëve dhe cilitdo që ka nevojë për ne”, tha zoti Spahiu.

Ky Fiter Bajram po festohet në 100 vjetorin e themelimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Disa dekada në mesin e kësaj periudhe, diktatura komuniste ndaloi besimet fetare, vrau dhe burgosi qindra klerikë dhe besimtarë të thjeshtë si kundërshtarë të regjimit.

Po ashtu diktatura shkatërroi mijëra objekte kulti shumë shekullore, shtetëzoi pronat materiale dhe intelektuale të komuniteteve fetare, si toka, prona, troje, ndërtesa historike, përvetësoi apo asgjësoi arkiva dokumentesh të rralla dhe biblioteka me vlera të jashtëzakonshme kulturore e kombëtare.

XS
SM
MD
LG