Lidhje

Festa e Bajramit në Maqedoninë e Veriut


 Festa e Bajramit në Maqedoninë e Veriut
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:28 0:00

Festa e Bajramit në Maqedoninë e Veriut

Besimtarët myslimanë në Maqedoninë e Veriut mbushën xhamitë dhe oborret e tyre që në orët e para të mëngjesit të së premtes, teksa ceremonia qendrore, ku ishin të pranishëm krerët e komunitetit mysliman, u bë në xhaminë e Mustafa pashës, pranë kalasë në Shkup.

Bajrami i Madh ose Fitër Bajrami shënon fundin e agjërimit prej 30 ditësh dhe klerikët myslimanë në këtë kremte bëjnë mesazhe për paqe, pajtim dhe për solidarizim me personat në nevojë.

Sot është festa e Fitër Bajramit, ditë e cila shënon ndarjen tonë nga muaji i bekuar i Ramazanit. Ndahemi nga ky muaj i begatë me bindje të thellë se me përkushtimin më të madh e përfunduam agjërimin e ditëve të tij, që është një ndër obligimet themelore të Islamit. Lusim Zotin e plotfuqishëm t’u japë gëzimin dhe shpresën në zemrat e skamnorëve, njerëzve me telashe fizike-shpirtërore, me qëllim që sot dhe gjithmonë në jetë të jemi të gëzuar e mbi të gjitha të jemi falënderues ndaj të madhit Zot për mirësitë e tij që na ka dhënë!”, tha Kryetari i Bashkësisë Islame në Maqedoninë e Veriut, Shaqir Fetai.

Bajramin besimtarëve ua kanë uruar edhe drejtuesit shtetërorë dhe ata politikë.

Presidenti Stevo Pendarovski uron që kjo festë të kalojë në harmoni dhe paqe dhe me mirëkuptim e respekt pa dallim përkatësisë fetare, etnike apo politike.

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi uron që “mirëqenia ekonomike dhe ngrohtësia familjare të sundojë në çdo shtëpi në këtë ditë të madhe”.

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski , duke uruar besimtarët dhe drejtuesit e komunitetit, thekson se përmes respektit të ndërsjellë dhe mirëkuptimit ndërtohet shoqëria e barabartë, e integruar në familjen evropiane. “Dëshirat më të sinqerta për paqe, gëzim dhe mirëqenie për secilin dhe në çdo shtëpi”, shkruan kryeministri maqedonas.

Drejtuesit e partive politike shqiptare urojnë festën me dëshirën për përforcimin e respektit dhe humanitetit ndërnjerëzor, praktikimin e veprave të mira, apo dhe që parimet gjatë muajit të Ramazanit të kultivohen edhe më tej me paqe, dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin.

Si zakonisht, drejtuesit e Bashkësisë Fetare Islame në vend gjatë ditës së sotme presin mysafirë nga radhët e zyrtarëve të lartë shtetërorë e politikë dhe përfaqësues të korit diplomatik.

XS
SM
MD
LG