Lidhje

Ndërsa Izraeli mbush 75 vjet, flamuri shpalos ndasi të thella


Flamuri kombëtar bardhë e blu, me yllin e Davidit në qendër, është shndërruar në simbolin e protestave kundër qeverisë në Izrael gjatë muajve të fundit.

Ndoshta kjo nuk është befasuese për vëzhguesit e jashtëm, pasi demonstruesit thonë se beteja e tyre është për vetë të ardhmen e kombit.

Për shumicën e izraelitëve, flamuri ka qenë një simbol i fuqishëm themeltar – i një kombi që u ringrit nga shkatërrimi i holokaustit për të ndërtuar një mrekulli të kohërave moderne, me një ushtri të fortë dhe në pararojë të zhvillimeve teknologjike.

Megjithatë, ata që protestojnë tani thonë se flamuri është përdorur gjithnjë e më shumë nga nacionalistët, që pretendojnë se kanë legjitimitet më të madh për të vendosur për karakterin dhe të ardhmen e vendit.

Dhjetëra mijëra izraelitë duke valëvitur flamujt gjatë protestave kundër qeverisë së Benjamin Netanyahut
Dhjetëra mijëra izraelitë duke valëvitur flamujt gjatë protestave kundër qeverisë së Benjamin Netanyahut

Ndërsa Izraeli shënon 75 vjet nga krijimi i tij, protestuesit thonë se po i kundërvihen këtij argumenti duke “rimarrë” flamurin.

Ndërsa flamujt ngrihen në mbarë vendin për të shënuar të mërkurën Ditën e Pavarësisë – në bulevardet e gjata dhe përgjatë kullave të larta, në bazat ushtarake dhe në vendbanimet e largëta – beteja për flamurin në këtë përvjetor të rëndësishëm ka nxjerrë në pah ndasitë e vendit kudo që hedh sytë.

Të gjendur gjithandej gjatë protestave, flamujt janë bërë imazhi dominues në ndërgjegjen izraelite prej disa muajsh.

Protestat filluan pasi qeveria më e djathtë në historinë e vendit njoftoi planet për reformimin e gjyqësorit, që kritikët thonë se do të rrezikonte themelet demokratike të Izraelit. Qeveria thotë se synon të ndryshojë një sistem ligjor që e përshkruan si ndërhyrës. Këto plane të qeverisë e kanë zhytur Izraelin në një nga krizat më të rënda të brendshme, duke nxjerrë në pah ndasi të rrënjosura thellë dhe duke nxjerrë për të protestuar në rrugë mijëra njerëz çdo javë, edhe pasi Kryeministri Benjamin Netanyahu e pezulloi reformën për shkak të trysnisë intensive.

Ka edhe mosmarrëveshje të tjera për flamurin. Shumë nga shtetasit palestinezë të Izraelit, që përbëjnë një të pestën e popullsisë prej 9.7 milionë banorësh, nuk ndihen të përfaqësuar nga flamuri – kjo është edhe një ndër arsyet përse ata nuk i janë bashkuar protestave kundër qeverisë.

Palestinezët gjatë festës së Bajramit në Tel Aviv, Izrael
Palestinezët gjatë festës së Bajramit në Tel Aviv, Izrael

Për palestinezët në Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jeruzalemin lindor, flamuri është emblema e pushtimit 56-vjeçar që përfshin kontroll të shtuar ushtarak dhe ndërtime të mëtejshme të vendbanimeve, duke zbehur kështu më tej shpresat e tyre për një shtet të pavarur.

XS
SM
MD
LG