Lidhje

Zhvillimet e 32 viteve të periudhës paskomuniste në sytë e ish të përndjekurve politikë


Në Shqipëri, zhvillimet e 32 viteve të fundit të periudhës paskomuniste shikohen nga këndvështrime të ndryshme, përfshirë edhe nga ish të përndjekurit politikë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, bisedoi me Filip Guraziun, ish i përndjekur politikë dhe kryetari i parë i Bashkisë së Shkodrës në vitet 1992-1996 si dhe me përgjegjësin e Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës, Pjerin Mirditën.

Shodër, zhvillimet e 32 viteve të periudhës paskomuniste në sytë e ish të përndjekurve politikë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:50 0:00

Ish kryetari i parë i Bashkisë së Shkodrës, pas periudhës së komunizmit në vitet 1992-1996, Filip Guraziu, ështe pasardhës i një prej familjeve më të njohura shkodrane, persekutuar gjatë viteve të regjimit komunist. Ditët e fundit ai publikoi librin e tij “Për nji demokraci të vërtete shqiptare”, përmes të cilit sjellë refleksionet e tij mbi ecurinë 32 vjeçare të zhvillimeve politike dhe sociale në Shqipëri. Si pjesa më e madhe e shtresës së ish të përndjekurve politikë, Filipi thotë se mund të ishte bërë më shumë sidomos për ish të përndjekurit politikë, edukimin e të rinjve dhe për ish pronarët.

“Unë them që politika shqiptare nuk e ka kryer detyrën e vet. E them në përgjithësi këtë sepse kemi pritë që të bahej ma shumë, sidomos në çështjen e edukimit. Asht e papranueshme që funksionojnë gjithë këto universitete private dhe ndjehet mungesa e vizionit për zhvillimet në vend”.

Megjithëse kanë kaluar 32 vite nga periudha komuniste, sipas zotit Guraziu, ende shumë çështje kanë mbetur pa u zgjidhur dhe, një ndër më kryesoret, është çështja e pronave, e cila është një pengesë e madhe për integrimin e vendit në BE. Si një nga drejtuesit e shoqatës së ish të përndjekurve politikë, Filip Guraziu thotë se, pas 32 vitesh tashmë ka rënë ndjeshëm interesimi për këtë shtresë të shoqërisë shqiptare.

“Shtresa e të përndjekurve politikë katër vitet e para, 92-96, ka ken shumë e mbështetun. Ma vonë kjo mbështetje ka shku duke u zbeh edhe ka mbërritë një moment që nuk interesohet kush ma për të përndjekurit politikë. Por, asht nji detyrë e jona, shoqata me reagu, nji detyrë e jona me dëshmu. Edhe fusha kryesore e jona asht në lidhje me kujtesën historike të krimit komunist. Sa ma shumë dun me e harru krimin komunist, aq ma shumë ne e kujtojmë dhe dëshirojmë ta kujtojmë”.

Pjerin Mirdita, i cili drejton Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës së krimeve të komunizmit, ishte vetëm 6 vjeç kur në Shqipëri u rrëzua komunizmi dhe nisi periudha 32 vjeçare e demokracisë. Pjerini thotë se politika nuk e ka kryer siç duhet misionin e saj dhe kjo shfaqet sidomos në zhgënjimin e masës së të rinjve.

“Politika në Shqipëri, në gjykimin tim, gjatë këtyre viteve është bazuar gjithmonë në përplasje më së shumti dhe në marrëdhënie individuale. Kjo gjë shikohet edhe në ditët e sotme kur të rinjtë po largohen masivisht nga Shqipëria në kërkim të ëndrrës së tyre profesionale, shoqërore, ëndrrës ndoshta familjare. Të gjitha këto janë tregues se, gjatë këtyre viteve, nuk është bërë aq shumë sa do ishte dashtë të bëhet”.

XS
SM
MD
LG