Lidhje

Aktpadia për përdhunim ndaj zotit Trump, juria mblidhet të marrë vendim

Një juri në Nju Jork nis sot procesin e peshimit të argumenteve dhe fakteve për të marrë një vendim lidhur me padinë civile kundër ish-Presidentit Donald Trump.

Ish-gazetarja dhe shkrimtarja E. Jean Carroll e ka akuzuar zotin Trump për përdhunim. Sipas saj ngjarja ka ndodhur në një dyqan luksoz në Manhatan në vitin 1996.

Zoti Trump, i cili nuk pranoi të dëshmonte në sallën e gjyqit, i ka hedhur poshtë akuzat e zonjës Carroll dhe ka shtuar se nuk e njeh fare atë.

Ditën e hënë, gjatë paraqitjes së argumenteve mbyllëse, avokati i zotit Trump, Joe Tacopina, tha se historia e zonjës Carroll është shumë e dyshimtë për t'u besuar. Sipas zotit Tacopina, ajo e ka sajuar ngjarjen me qëllimin për të shitur një libër me kujtime të publikuar në vitin 2019, si dhe për të denigruar politikisht zotin Trump.

Avokatja e zonjës Carroll, Roberta Kaplan, i bëri thirrje jurisë të besojë klienten e saj, duke iu kujtuar anëtarëve të jurisë, ndër të tjera, komentet famëkeqe të zotit Trump të vitit 2005, ku ai shprehej se personat e famshëm mund t'u fusin duart grave mes këmbëve, edhe i pa pyetur.

Ai (Donald Trump) as që u mundua të paraqitej këtu (në gjyq) personalisht”, tha zonja Kaplan, duke shtuar, se ato që zoti Trump kishte thënë në deponimin e tij të regjistruar, si dhe në komentet e tij publike, mbështesnin pretendimet e klientes së saj.

Në një kuptim Donald Trumpi është një dëshmitar kundër vetvetes”, tha ajo. “Ai e di se çfarë ka bërë. Ai e di që e ka përdhunuar zonjën E. Jean Carroll”.

Gjatë dëshmisë së saj, 79-vjeçarja E. Jean Carroll” tha se ajo u takua rastësisht me zotin Trump, në dyqanin ‘Bergdorf Goodman’ përballë kullës Trump. Ajo tha se fillimisht ata po bënin shaka, duke ngacmuar njëri-tjetrin për të provuar disa të brendshme që shiste dyqani. Por më pas, zoti Trump hyri në dhomën e saj zhveshjesh, ku, sipas saj edhe e përdhunoi.

Avokati Tacopina u tha anëtarëve të jurisë se nuk kishte asnjë arsye për të thirrur zotin Trump si dëshmitar, në një kohë kur zonja Carroll as që e mbante mend se kur kishte ndodhur incidenti i pretenduar me zotin Trump.

Ai tha se zonja Caroll i sajoi akuzat, duke i kopjuar ato nga seriali televiziv "Law and Order", i vitit 2012, në një episod të të cilit, një grua përdhunohet në dhomat e zhveshjes, në seksionin e të brendshmeve, të dyqanit ‘Bergdorf Goodman’.

Në dëshminë e tyre në gjyq, dy nga miqtë e zonjës Carroll thanë se ajo u kishte treguar atyre rreth asaj që kishte ndodhur me zotin Trump, pak pas incidentit, dhe shumë vite përpara se të transmetohej seriali "Law and Order”.

This item is part of
XS
SM
MD
LG