Lidhje

Zgjedhjet në Turqi, dy rivalët kryesorë pretendojnë epërsi në rezultatet paraprake 


TURKEY-ELECTION/
TURKEY-ELECTION/

Deri në momentet e publikimit të këtij lajmi, sipas televizionit shtetëror turk, TRT janë numëruar mbi dy të tretat e kutive të votimit dhe Presidenti Rexhep Erdogan vazhdon të kryesojë me mbi 51% të votave. Por rezultatet mund të ndryshojnë.

Kandidati i opozitës së bashkuar, Kemal Kilicdaroglu, sipas njoftimit të TRT-së, ka marrë rreth 43% të votave.

Nëse asnjë kandidat nuk merr më shumë se 50% të votave, fituesi do të përcaktohet në balotazhin e 28 majit. Ndërkohë në Stamboll, deri në publikimin e këtij lajmi, rezultatet fillestare po ashtu tregojnë për epërsinë e Presidentit Erdogan.

Televizioni turk NTV njofton se zoti Erdogan ka marrë deri tani 53% të votave. Kandidati i opozitës, Kemal Kilicdaroglu ka marrë 41% të votave, megjithëse hendeku pritet të ngushtohej ndërsa vazhdon numërimi i votave në qytetin më të madh të Turqisë, Stamboll. Deri në publikimin e këtij lajmi janë numëruar 36.3% të kutive të votimit.

Katër burime nga opozita turke thanë se besojnë se zoti Kilicdaroglu kryeson me një diferencë të ngushtë.

Zëdhënësi i partisë së qendrës së majtë të zotit Kilicdaroglu paralajmëroi se rezultatet fillestare nuk janë përcaktuese dhe shtoi se të dhënat në fakt janë “jashtëzakonisht pozitive” për opozitën.

64 milionë turq me të drejtë votë do të zgjedhin presidentin dhe 600 anëtar të parlamentit të vendit. Zgjedhjet janë cilësuar si një nga provat më të vështira për qeverisjen njëzetvjeçare të zotit Erdogan dhe ndër zgjedhjet më të rëndësishme në historinë 100-vjeçare të Turqisë.

Votimet do të përcaktojnë jo vetëm se kush e drejton Turqinë, një vend anëtar i NATO-s me 85 milionë banorë, por edhe se si qeveriset ai vend. Turqia aktualisht po përjeton një krizë të thellë ekonomike ndërsa diplomacia e Turqisë ka ndërmarrë kthesa të paparashikueshme.

XS
SM
MD
LG