Lidhje

Beleri në arrest fiton Bashkinë e Himarës-Rama reagon për ndërhyrjet e Athinës


Fredi Beleri
Fredi Beleri

Përkrahësit e kantidatit të koalicionit “Bashkë fitojmë” festuan në Himarë fitoren e Fredi Belerit i cili ndodhet në paraburgim në Tiranë i arrestuar dy ditë para zgjedhjeve me akuzën e blerjes së votave. Nga rezultatet e votimeve të së dielës zoti Beleri ka dalë fitues me vetëm 19 vota diferencë nga rivali i tij Gjergji Goro, që përfaqësonte Partinë Socialiste.

Procesi i numërimit hera-herës ka kaluar me tensione për shkak të rezultatit të ngushtë dhe fituesi është përcaktuar në dy kutitë e fundit.

Fredi Beleri fiton bashkinë e Himarës, ndodhet në paraburgim për “blerje votash”
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:56 0:00

I përzgjedhur nga Partia e të Drejtave të Njeriut , një forcë politike që përfaqëson në Shqipëri kryesisht pakicën greke, Beleri u mbështet nga Koalicioni “Bashkë Fitojmë”.Kryetari i Partisë së të Drejtave të Njeriut Vangjel Dule u tha sot gazetarëve në Himarë se kjo “është një faqe e re për Himarën dhe insistoj që Bashkia e Himarës duke i përfaqësuar të gjithë pa përjashtim do të jetë një model i ri. Ju garantoj se pavarësisht rezultateve zgjedhore sot, këtu në Himarë u thye autokracia e Ramës”.

Pas shpalljes se rezultatit për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri përmes një postimi në Facebook, tha se e quante atë një fitore të demokracisë dhe falenderoi mbështetësit e tij “për burrërinë që treguan. Në Himarë nuk ka humbës dhe fitues, por ka një fitore të demokracisë dhe të qytetarëve”, shkruajti ai

Zoti Beleri pritet të përfitojë mandatin e kryetarit të bashkisë nga KQZ pasi prezumohet i pafajshëm deri në vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin. Këshilli i Minstrave, sipas ligjit të qeverisjes vendore, ka gjithashtu të drejtën, të shqyrtojë shkarkimin e tij nga detyra pa pritur vendimin e gjykatës për shkak të hetimit nga SPAK. Kjo ka qenë një praktikë e ndjekur me kryetarët e bashkisë së Lushnjë dhe Bulqizës të cilël u liruan nga detyra pas arrestimit nga SPAK me akuzat për korrupsion në tendera.

Arrestimi i zotit Beleri në Himarë dy ditë para zgjedhjeve solli replika të forta mes Athinës dhe Tiranës.

Pas vendimit të gjykatës së Vlorës për lënien në me burg të Fredi Belerit, Ministria e Jashtme greke e cilësoi vendimin “skandaloz, nëse provat nuk janë të pakundërshtueshme. Ministria e Jashtme greke tha se “arrestimi i një kandidati për kryetar bashkie dy ditë para zgjedhjeve nuk fliste për shtet ligjor në Shqipëri”. Mbi çështjen ndërhyri me deklarata disa herë dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i cili madje përdori tone kërcënuese ndaj Shqipëri, duke paralajmëruar se kjo ngjarje do të ndikonte në rrugëtimin e saj të integrimit europian.

Qeveria shqiptare replikoi përmes ministres së Jashtme Olta Xhaçka ndaj deklaratave të zyrtarëve grekë, ndërsa kryeministri Edi Rama u shpreh për këtë çështje vetëm të hënën në mbrëmje, në një dalje pas fitores së thellë të partisë socialiste në zgjedhjet e së dielës. “Dua të respektoj zgjedhjet në Greqi e të mirëkuptoj nxehjen e retorikës duke u përpjekur për sa më shumë urtësi e vetpërmbajtje nga ana ime e ana jonë, sepse kemi bërë një punë të jashtëzakonshme së bashku me qeverinë greke, me kryeministrin Mitsiotakis, me ministrin e jashtëm Dendias. për të ngritur një urë të re të madhe e të gjerë e të fortë bashkëpunimi e për ta cuar në një nivel tjetër marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Greqisë”, u shpreh zoti Rama duke shtuar se “nga ana ime jam i vendosur të bëj maksimumin para se të jem i detyruar të reagoj proporcionalisht”.

Megjithatë zoti Rama bëri të qartë se “se institucionet e drejtësisë në Shqipëri mund të kenë të metat e tyre, problemet e e tyre, por askush, nga unë i pari, jeni dëshmitarë, që nuk i kam kontestuar asnjëherë vendimet e tyre, e jo më pastaj të tjerët, e lëre më pastaj jashtë Shqipërisë, të vënë në pikëpyetje e nën presion rolin e tyre”.

Zoti Rama kujtoi se pak para regjistrimit të kandidatëve për zgjedhjet vendore, prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kishin arrestuar një kryetar bashkie “dhe kandidat me shumë gjasë të PS, për një çështje dhe një akuzë që nuk e njoh akoma dhe sot, në thelb se çfarë është. As nuk më ka shkuar mendja të ngre zërin e t’i kërkoj Prokurorisë e gjykatës, të nxjerrë provat se kështu dua unë dhe kur dua unë”.

Ai gjithashtu vuri në dukje se “nuk ka asnjë mundësi që të pajtohemi me idenë se ka një drejtësi tjetër për qytetrët e Republikës së Shqipërisë me kombësi shqiptare dhe tjetër për ata me kombësi greke. Eshtë e njejta drejtësi, me të metat dhe me barrën e tyre”.

Ai hodhi poshtë akuzat se në rastin e Belerit kishte gisht qeveria, me qëllim që të garantonte fitoren në Himarë. “Zgjedhjet atje janë zhvilluar në qetësi të plotë. Eshtë votuar pa asnjë incident. Eshtë bërë një numërim paqësor, transparent dhe në fund ka fituar me një grusht votash, po nuk ka rëndësi, kandidati kundërshtar me qeverinë dhe kjo hedh poshtë totalisht, çdo lloj argumenti të sforcuar se aty është bërë përpjekje për të marrë me metoda ekstraligjore, ekstraelektorale nga ana jonë, një fitore që nuk ka të bëjë me masën e dhënë nga gjykata”, saktësoi kryeministri.

XS
SM
MD
LG