Lidhje

Amerikania Amy Pope fiton garën e ashpër për drejtimin e agjencisë së OKB-së për migracionin


Amy Pope
Amy Pope

Vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara paraqitën kandidatë rivalë për drejtimin e agjencisë së Kombeve të Bashkuara për migracionin, në një garë të pazakontë të tensionuar.

Më shumë se 100 milionë njerëz janë zhvendosur me forcë në mbarë botën. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) kërkon të sigurojë migrim human dhe të rregullt dhe ndërhyn për raste ku është e nevojshme.

Të hënën 175 shtetet anëtare morën pjesë në raundin e parë të votimit të fshehtë në takime me dyer të mbyllura.

Zëvendësdrejtoresha e IOM-it, Amy Pope, ish-këshilltare e Shtëpisë së Bardhë e mbështetur nga Presidenti Joe Biden, fitoi garën me 98 vota, ndërsa presidenti aktual, António Vitorino i Portugalisë, mori 67 vota.

Organizata Ndërkombëtare e Migrimit tha se zonja Pope do të jetë gruaja e parë që drejton organizatën kur të fillojë mandatin pesëvjeçar më 1 tetor.

Zonja Pope njoftoi kandidaturën e saj vitin e kaluar dhe mori leje pa të drejtë rroge në muajin mars nga IOM-i për t’u fokusuar në fushatë. Ajo ndau foto në rrjetin Twitter gjatë takimeve me zyrtarë në të gjithë botën.

Zonja Pope është zotuar se do t’i trajtojë në mënyrë proaktive sfidat e migrimit dhe të shfrytëzojë avantazhet që ai sjell, ndërsa ka thënë se do të përqendrohet në shkaqet kryesore të tij.

António Vitorino, ish-komisioner evropian, i afërt me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres (që të dy janë nga Partugalia) ka theksuar rritjen e buxhetit vjetor të agjencisë, si një nga sukseset e tij.

I pyetur rreth garës, ai e pranoi se ishte e pashembullt.

“Nuk ka ndodhur kurrë që të kemi një drejtor të përgjithshëm në detyrë që përballet me një nga zëvendësit e tij. Le ta quajmë risi”, tha për gazetarët në muajin mars zoti Vitorino i cili ka mbajtur postin që nga viti 2018. Ai tha se kishte mbështetjen e Portugalisë si dhe "inkurajimin e fortë" të Bashkimit Evropian.

I pyetur se si ndihej përpara votimit në Qendrën Ndërkombëtare të Konferencave në Gjenevë, zoti Vitorino tha: “ Ndjenjat i mbaj brenda vetes”.

Sipa rregullave të IOM-it, kandidati fitues duhet të marrë dy të tretat votave të vendeve anëtare. Diplomatët në Gjenevë kanë thënë se të dy kandidatët janë shprehur privatisht se janë të sigurt në fitore.

Një diplomat tha me shaka se votimi i fshehtë ishte ide e mirë për të shmangur zemërimin e Brukselit ose të Uashingtonit.

XS
SM
MD
LG