Një fotografi e rreme, e krijuar nga inteligjenca artificiale, u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale të hënën, me pretendimin se kishte ndodhur një shpërthim pranë Pentagonit.
Postimet në rrjetet sociale shkaktuan edhe një tronditje të shkurtër në tregun e aksioneve, ndërsa autoritetet nxituan të sqaronin se nuk kishte ndodhur asnjë shpërthim dhe se fotografia ishte e rreme.
Por pavarësisht kësaj, fotografia me pretendimin se pranë Pentagonit kishte ndodhur një shpërthim u shpërnda edhe nga media duke përfshirë RT, një kompani mediatike e mbështetur nga qeveria ruse e njohur më parë si “Russia Today”.
Po ashtu kjo fotografi u shpërnda edhe nga një profil në Twitter, që mban shenjën blu të verifikimit të kompanisë së medias sociale dhe që pretendonte në mënyrë të rreme se ishte e lidhur me agjencinë e lajmeve “Bloomberg”.
Përhapja e shpejtë e imazhit bëri që Departamenti i Zjarrfikësve i qarkut Arlington, në shtetin e Virxhinias, pranë Pentagonit, të përdorte mediat sociale për të rrëzuar lajmet e rreme.
“Nuk ka asnjë shpërthim apo incident pranë ndërtesës së Pentagonit dhe nuk ka asnjë rrezik për publikun”, theksohej në një njoftim në rrjetin social Twitter të zjarrfikësve të qarkut të Arlingtonit.
Ekspertët e dezinformimit thonë se fotografia e rreme ka të ngjarë të jetë krijuar duke përdorur programe të inteligjencës artificiale, të cilat japin pamje gjithnjë e më realiste, por shpesh herë me të meta. Sa i përket kësaj fotografie, ekspertët thonë se kishte mospërputhje me ndërtesën reale, gardhin rrethues, si dhe element të tjerë.
“Konkretisht, bari dhe betoni ‘shkrihen’ me njëri-tjetrin, gardhi është i parregullt, ka një shtyllë të zezë të çuditshme që del nga pjesa e përparme e trotuarit, por gjithashtu edhe pjesë të gardhit. Dritaret në ndërtesë nuk janë në përputhje me fotot e Pentagonit që mund t’i gjeni në internet”, thotë Hany Farid, një profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin e Kalifornisë.
Chirag Shah, një tjetër ekspert, paralajëron se zbulimi i falsifikimeve nuk do të jetë gjithmonë kaq i dukshëm.