Lidhje

Reeker: Ka një shans real për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Armenisë dhe Azerbajxhanit


Ish Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker i cili ka shërbyer edhe si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut dhe ish Këshilltar i lartë i Departamentit të Shtetit për Negociatat për rajonin e Kaukazit, tha në një intervistë për shërbimin armen të Zërit të Amerikës se ka një shans real për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre. Bakuja dhe Jerevani janë përfshirë në një konflikt prej disa dekadash për kontrollin e rajonit të Nagorno-Karabakut të Azerbajxhanit me popullsi kryesisht armene.

Philip Reeker
Philip Reeker

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, Armenia dhe Azerbajxhani janë në proces negociatash aktive. Kryeqytetet evropiane dhe Moska si dhe një takim shumë i rëndësishëm katërditor në Uashington, në thelb nisën një proces aktiv negociator. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, ka pasur një përparim të dukshëm gjatë takimit në Uashington. Si e vlerësoni procesin e negociatave, çfarë prisni nga ky proces?

Philip Reeker: Jam shumë i kënaqur që ka një vrull në këtë proces. Dhe kjo filloi me një angazhim nga vetë drejtuesit, nga kryeministri Nikol Pashinian dhe presidenti Ilham Aliyev për t'u angazhuar me synimin e një marrëveshjeje paqeje dhe normalizim të marrëveshjeve, në mënyrë që të mund të shohim fundin e tragjedive të tmerrshme që kemi dëshmuar në të dyja palët, dhe të shohim stabilitet dhe prosperitet më të madh jo vetëm për Armeninë dhe Azerbajxhanin, por për të gjithë rajonin e Kaukazit Jugor. Kishte një vrull që filloi kur unë isha ende në qeveri, duke këshilluar Sekretarin e Shtetit si këshilltar i lartë për negociatat e Kaukazit. Jam shumë i kënaqur të shoh, siç e dini, se kjo përpjekje ka vazhduar. Takimet që patëm në Blair House vjeshtën e kaluar, janë pasuar nga, siç vini re, disa ditë takimesh përsëri këtu në Uashington, duke përfshirë angazhimin e Sekretarit Blinken. Dhe ne kemi parë takime pasuese, përfshirë nga vetë udhëheqësit, së fundmi në Bruksel, në takime të planifikuara. Është një lloj angazhimi që është vërtet i nevojshëm. Dhe kjo na ka sjellë në një pozitë të pashembullt në 30 vitet e fundit për sa i përket një mundësie për të parë paqen e vërtetë.

Zëri i Amerikës: Kemi dëgjuar shpesh gjatë konferencave të shtypit nga zyrtarë të Departamentit të Shtetit se çështjet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit janë nën vëmendjen personale të Sekretarit të Shtetit Anthony Blinken. Kjo është disi e paprecedentë. Cilat janë synimet kryesore të SHBA-së? Dhe cilat janë objektivat kryesore të Shteteve të Bashkuara në këtë proces?

Plilip Reeker: Kemi parë për kaq shumë vite, tragjedinë e këtij konflikti në Kaukazin e Jugut, se sa humbje ka shkaktuar në aspektin e jetëve, në aspektin e mundësive, zhvendosjen e njerëzve duke sjellë pikëllim për dekada me radhë. Dhe janë bërë përpjekje nga komuniteti ndërkombëtar për të bashkuar palët, për të krijuar një paqe më të qëndrueshme. Mendoj se e pamë në vitin 2020 tragjedinë e vërtetë të luftës në rajon. Vetë Sekretari Blinken, ka thënë se ai sheh një dritare mundësish tani me të dy udhëheqësit, kryeministrin Pashinyan dhe presidentin Aliyev, që kanë treguar guxim dhe vendosmëri. Nuk është një proces i lehtë të bashkosh ekipet e tyre të punës të përpiqen të bëjnë përparim në proces për të krijuar para së gjithash një marrëveshje paqeje, e cila do të hapë shumë dyer të tjera për normalizimin dhe mundësitë në të gjithë rajonin. Kështu që vetë Sekretari Blinken është i përkushtuar personalisht, dhe ai po mbështet përpjekjet e të tjerëve, si Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, për të bashkuar udhëheqësit për të ushtruar autoritetit tona për t'u dhënë atyre mundësinë për të gjetur një rrugë paqësore përpara.

Zëri i Amerikës: Përkundër kaq shumë përpjekjeve dhe negociatave të vazhdueshme dhe një procesi shumë aktiv negociues, ne ende jemi dëshmitarë të mungesës së një armëpushimi në rajon. Ka përshkallëzime të përhershme në kufi dhe viktima gjatë gjithë kohës. Gjatë kohës suaj në qeveri, ju keni qenë në rajon shtatorin e kaluar, kur ishim dëshmitarë ndoshta të përshkallëzimit më të madh pas luftës së vitit 2020 (midis Armenisë dhe Azerbajxhanit). Çfarë mekanizmash duhen zbatuar ose vënë në terren për të parandaluar më tej humbje jete?

Philip Reeker: Kur punoja në qeveri dhe merresha me këtë çështje fillimisht kur isha ndihmës Sekretar për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, dhe më pas kur u ktheva dhe Sekretari Blinken më kërkoi të merrja rolin e këshilltarit të lartë, unë inkurajova palët që të tërheqin trupat e tyre. Kishte rekrutë të rinj kaq afër në kufi në këto rajone malore, dhe në mënyrë të pashmangshme ndodhin konflikte. Asgjë nuk fitohet nga një situatë e tillë. Vetë kufijtë duhet të kufizohen dhe të demarkohen, kjo është pjesë e procesit në vazhdim. Kështu që tërheqja e trupave është ajo që kam sugjeruar. Ndërtimi i mirëbesimit është kaq i rëndësishëm për të nxitur përmbajtje në deklaratat dhe në atë që thuhet nga udhëheqësit dhe nga qeveritë e tyre dhe për t'iu përkushtuar një procesi paqeje. Ne e dimë se kjo nuk është e lehtë. Është një sfidë. Është një nga çështjet më të mëdha të pazgjidhura në rajon e më gjerë. Mendoj se nëse ata vazhdojnë në rrugën që kanë bërë duke punuar drejt një marrëveshjeje paqeje para së gjithash, të thuash se, nuk do të luftojmë më, sepse e shohim se ky lloj luftimi sjell vetëm vuajtje, atëherë procesi i normalizimit të gjerë është shumë i qartë. Dhe kjo do të çojë në një normalizim më të gjerë dhe mundësi për të gjithë rajonin, për Armeninë dhe Azerbajxhanin, si dhe Gjeorgjinë dhe rajonin më gjerësisht.

Zëri i Amerikës: Pushtimi rus i Ukrainës ndikoi në shumë mënyra në shumë pjesë të botës. Kaukazi i Jugut nuk ishte përjashtim. A prisni një raund tjetër përshkallëzimi nëse, për shembull, shohim një fazë tjetër aktive ushtarake në luftën e Ukrainës ose më shumë intensifikim të veprimeve ushtarake?

Philip Reeker: Pushtimi i Rusisë, pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës, është e qartë se ka trazuar të gjithë rajonin. Na kujton se Kaukazi i Jugut është në një zonë e vështirë dhe ka fqinjë të ashpër. Natyrisht, pushtimi i Krimesë dhe aneksimi i paligjshëm nga Rusia që nga viti 2014 e tregoi këtë qartë. Dhe Gjeorgjia, natyrisht, është një shembull ku Rusia ende pushton 20% të territorit të Gjeorgjisë, ilegalisht. Dhe kjo ka vazhduar për një kohë shumë të gjatë që nga viti 2008. Kjo duhet të motivojë të dy palët, në këtë rast, Armeninë dhe Azerbajxhanin që të gjejnë rrugën e tyre përpara. Dy udhëheqësit duhet të mblidhen dhe të dëgjojnë njëri-tjetrin, të flasin me njëri-tjetrin sa më shumë të jetë e mundur. Për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin për të kuptuar se nga vijnë, cilat janë shqetësimet e tyre më të mëdha. Të gjithë duan siguri. Dhe kjo është ajo që është e rëndësishme. Siguria jep mundësinë për prosperitet. Ne shohim një rajon që ka mundësi të mëdha. Nëse mund të kemi siguri do të ketë më shumë tregti, zhvillim energjetik, zhvillim të infrastrukturës dhe nga kjo do të përfitojnë të gjithë në rajon.

Zëri i Amerikës: Zoti ambasador, trupat ruse janë pikërisht tani në Nagorni Karabak dhe ato, sipas marrëveshjes trepalëshe ndërmjet Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë, duhet të ofrojnë sigurinë në terren. Në të njëjtën kohë ne jemi duke parë se situata nuk është e qetë duke patur përshkallëzime të përhershme dhe shkëmbime zjarri. Kryeministri armen Pashinyan deklaroi dje se Armenia është e gatshme të njohë integritetin territorial të Azerbajxhanit, nëse Azerbajxhani njeh integritetin territorial të Armenisë. Si i vlerësoni këto deklarata?

Philip Reeker: Forcat ruse janë të pranishme sipas një marrëveshjeje që solli fundin e luftimeve në vitin 2020, që nuk përfshiu Shtetet e Bashkuara, apo palë të tjera. Kjo ishte një marrëveshje trepalëshe midis Rusisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit. Në masën që ata janë në gjendje të përmbushin angazhimet që kanë marrë, ju do të duhet të pyesni palët në rajon, nëse kjo përbën një ndryshim. Përsëri, unë mendoj se fokusi duhet të jetë në dy vendet, Armeninë dhe Azerbajxhanin, për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, një marrëveshje paqeje të qëndrueshme që trajton çështjet kryesore. //Mbështetja nga komuniteti ndërkombëtar sigurisht që mund të jetë pjesë e kësaj, siç ka qenë në shumë raste të tjera në mbarë botën.

Zëri i Amerikës: A prisni që këto lloj deklaratash mund të çojnë në uljen e përshkallëzimmit të situatës dhe të ulin tensionin?

Philip Riker: Këto janë deklarata konstruktive. Siç thashë, mendoj se të dyja palët e konfliktit duhet të ushtrojnë përmbajtje. Jemi në një pikë që vërtet tregon mundësinë e një marrëveshje paqeje, dhe kjo është ajo që do të sjellë ndryshimin përfundimtar. Kështu që mendoj se deklaratat konstruktive janë të rëndësishme. Në të njëjtën kohë, mendoj se është e rëndësishme që liderët të flasin me njëri-tjetrin që të takohen, të angazhohen sa më shpesh që të jetë e mundur, që ministrat e jashtëm të takohen dhe të vazhdojnë negociatat. Dhe jam i lumtur që shoh se me të vërtetë, kjo po vazhdon. Dhe shpresoj se do të mbajë vërtet vrullin në javët dhe muajt e ardhshëm, në mënyrë që të mund të arrihet një marrëveshje e vërtetë paqeje që do të hapë kaq shumë dyer për të gjitha vendet për të gjithë popujt e rajonit.

Zëri i Amerikës: Dje organizata Freedom House publikoi raportin e saj Nations in Transit 2023 që ngre alarmin për skenarin e mundshëm të përsëritjes së situatës së Ukrainës në Kaukaz. A ndani mendimin se ka një lloj ngjashmërie në proceset në Ukrainë dhe në Kaukuz tani?

Philip Riker: Vërtet nuk e shoh këtë ngjashmëri për shkak se në Kaukus, midis Armenisë dhe Azerbajxhanit ka një proces, është një proces që Shtetet e Bashkuara po e mbështesin. Sekretari Blinken ka thënë se ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t'i ndihmuar këto dy vende të ecin përpara. Ekziston një proces i vërtetë dhe një grup angazhimesh aktive dhe të vazhdueshme drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje. Ukraina, është një histori shumë e ndryshme. Dhe unë nuk jam këtu për të folur për agresionin rus, agresionin e Putinit në Ukrainë. Është një situatë tjetër tragjike për të cilën sigurisht kanë reflektuar udhëheqësit amerikanë dhe globalë. Dhe Ukraina ka treguar guxim në mbrojtjen e territorit të saj kundër një sulmi vërtet të tmerrshëm dhe të paprovokuar që është tani, rreth 15 muaj nga ndërhyrja e Putinit.

Zëri Amerikës: Një tjetër lojtar i madh në rajon, Turqia sot po përballet me një luftë reale politike për sa i përket zgjedhjeve shumë konkurruese. Po i afrohemi raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale. Jam i sigurt se jeni në dijeni të procesit të normalizimit midis Turqisë dhe Armenisë, i cili tani është i ndalur, i pezulluar ose i ngrirë. Gjithashtu ka disa çështje që lidhen me monumentin e hapur në Jerevan që shkaktoi shumë kritika nga Ankaraja. Si mund të ndikojnë këto zgjedhje në të ardhmen e procesit të normalizimit?

Philip Reeker: Natyrisht, Turqia dhe populli turk janë të zënë me zgjedhjet, të cilat ne të gjithë i ndjekim nga afër. Në zgjedhjet turke pritet një balotazh i dytë. Kështu që njerëzit do të fokusohen në këtë aspekt. Kur isha në qeveri, ne i kujtonim rregullisht Ankarasë rëndësinë e normalizimit me Armeninë. Edhe kjo mund të hapë dyert, për më shumë mundësi për tregti, më shumë mundësi për investime, gjë që çon në një stabilitet më të madh. Edhe Turqia do të përfitonte nga kjo. Kështu që ne do të vazhdojmë të inkurajojmë cilëndo qeveri në Turqi në të ardhmen. Dhe kjo shkon paralelisht me procesin midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, për të krijuar një marrëveshje paqeje të qëndrueshme dhe të ekuilibruar për të zbatuar atë marrëveshje dhe për ta çuar të gjithë rajonin përpara për një mundësi më të mirë në dekadat e ardhshme.

*Ambasadori Philip Reeker aktualisht punon për firmën konsulente ‘Albright Stonebridge Group’, si partner dhe drejtues i projekteve për Evropën dhe Euroazinë*.

XS
SM
MD
LG