Lidhje

SHBA, palët optimiste për arritjen e marrëveshjes për tavanin e borxhit 


Konsumatorët amerikanë pakësojnë shpenzimet
Konsumatorët amerikanë pakësojnë shpenzimet

Negociatat për çështjen e tavanit të borxhit po vazhdojnë për të parandaluar një mospagim të borxheve nga qeveria federale, një gjë që do të kishte pasoja katastrofike. Afati për këtë çështje është shtyrë deri më pesë qershor. Presidenti Biden tha që shpreson të arrihet një marrëveshje së shpejti. Republikanët gjithashtu thonë se është bërë përparim.

SHBA, palët optimiste për arritjen e marrëveshjes për tavanin e borxhit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:16 0:00

Presidenti amerikan Joe Biden do e kalojë fundjavën në vendpushimin presidencial, “Camp David”, por ndërsa largohej nga Shtëpia e Bardhë, tha se zyra e tij dhe negociatorët republikanë janë pranë një marrëveshjeje për rritjen e tavanit të borxhit. Kjo gjë do të shmangte rrezikun që për herë të parë në historinë e vendit, qeveria federale të mos paguajë dot borxhet.

“Gjërat duken mirë. Unë jam shumë optimist”, tha presidenti amerikan ndërsa nisej për në “Camp David”.

Duke reaguar ndaj komenteve të presidentit, një nga negociatorët kryesor të republikanëve u pajtua se të dyja palët kanë përafruar qëndrimet.

“Ju të gjithë e dini se pritja për pjesën e fundit të marrëveshjes është pritja më e vështirë dhe më e gjatë. Ne duhet të punojmë për të gjetur zgjidhje për çështjet e mbetura dhe të përafrojmë propozimet tona”, tha ligjvënësi republikan, Patrick McHenry.

Republikanët po kërkojnë zvogëlim të ndjeshëm të shpenzimeve për dhjetë vitet e ardhshme në këmbim të rritjes së tavanit të borxhit. Ata gjithashtu duan fuqizim të kushteve për njerëzit që duan të marrin ndihma nga qeveria federale.

Për demokratët këto kërkesa janë të papranueshme.

Të premten pasdite, Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen i shkroi Kongresit duke e njoftuar se afati për zgjidhjen e çështjes së tavanit të borxhit është shtyrë deri më pesë qershor.

Por, ajo ka paralajmëruar për pasoja duke thënë se një mospagim i borxhit do të shkaktojë vështirësi për familjet amerikane dhe do të dëmtojë pozitën udhëheqëse globale të Shteteve të Bashkuara. Sipas saj, kjo gjithashtu do të ngrinte pikëpyetje rreth aftësisë së Amerikës për të mbrojtur interesat kombëtare.

Ekonomistët thonë se Shtetet e Bashkuara mund të humbasin tetë milionë vende pune nëse nuk paguhen borxhet në kohë. Mbi një milion pjesëtarë të forcave të armatosura nuk do të paguhen dhe mbi 66 milionë pensionistë amerikanë nuk do të marrin pagesat e sigurimeve shoqërore me të cilat përballojnë jetesën.

“Pa pagesat e sigurimeve shoqërore jo vetëm që do të mbeteshim të pastrehë, por nuk do të kishim para as për të blerë ushqime”, thotë zonja Pamela Gambre, banore e Virxhinias.

Udhëheqësit e Kongresit u kanë kërkuar ligjvënësve që janë larguar nga Uashingtoni të jenë gati për t’u kthyer menjëherë në kryeqytet nëse arrihet një marrëveshje.

XS
SM
MD
LG