Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar tha të premten se kishte vendosur sekuestrimin në qytetin e Vlorës të nëntë pasurive në vlerën e mbi 600 mijë dollarëve të Raul Zenunaj, i dënuar për trafik droge, si dhe personave të lidhur me të.
Mes pasurive janë apartamente, dy njësi biznesi, troje ndërtimi, një automjet dhe sipërfaqe bujqësore të cilat rezultojnë në emër të Zenunajt dhe të të afërmve të tij.
Pronat ishin vënë në sekuestro paraprake nga Prokuroia e Posaçme janarin e vitit 2021 pasi Zenunaj ishte përfshirë nga Operacioni policor shqiptar “Forca e ligjit” në subjektet për deklarimin e pasurisë.
Raul Zenunaj ishte ndaluar në vitin 2019 mes 27 personave, në kuadër të një operacioni të policisë shqiptare dhe italiane kundër trafikantëve të drogës.
Grupi i strukturuar kriminal akuzohej nga policia italiane për trafikimin e rreth 8 tonë kanabis në Itali dhe një sasie kokaine dhe heroine. Grupit kriminal i ishte kapur edhe rreth 3 tonë kanabis në Shqipëri.
Sipas Prokurorisë shqiptare që veproi për sekuestrimin paraprak të pronave në vitin 2021 Raul Zenunaj më pas ishte dënuar nga autoritetet gjyqësore të Italisë, për veprat penale “Prodhim dhe trafikim i drogës”; “Prodhim dhe shpërndarje e drogës”.