Lidhje

Arrestohet nën akuzat për korrupsion sekretarja e përgjithshme e ministrisë së shëndetësisë


Prokuroria e posaçme kundër korrupsionit arrestoi të premten në mbrëmje sekretaren e përgjithshme të ministrisë së shëndetësisë, Joana Duro, dhe një punonjëse tjetër, Laura Sheto, nën akuzat për korrupsion.

SPAK konfirmoi arrestimet si pjesë e një operacioni në vazhdim e sipër, ndërsa dy të akuzuarat janë vëzhguar nga Prokuroria e Posaçme prej një kohe të gjatë.

Ato dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën përmes rryshfeteve prej afro 4 mijë dollarësh, si dhe abuzimit me një tender në vlerë të konsiderueshme.

Jozyrtarisht mësohet se e pandehura Duro është kapur në flagrancë, duke marrë rryshfet.

Kryeministri Edi Rama tha se ky ishte një rast i rëndë, dhe se nuk ka kompromis me askënd, që shkel ligjin.

“Mungesa e sensit të patriotizmit, të detyrës, të etikës në pikën që në një detyrë të rëndësishme të biesh në këtë lloj niveli, është realisht e tmerrshme”, theksoi zoti Rama. Ai shtoi se reforma në drejtësi i dha fund mosndëshkimit. “Ne e kemi zgjedhur këtë rrugë tjetër dhe në këtë rrugë nuk ka asnjë kthim mbrapa dhe nuk ka asnjë kompromis me askënd”, shtoi ai.

XS
SM
MD
LG