Lidhje

Gara për president, DeSantis-Trump, 'luftë' fjalësh në distancë


Në javën e parë të plotë të fushatës së tij presidenciale për vitin 2024, Guvernatori i Floridës Ron DeSantis punoi shumë për ta karakterizuar veten si një kandidat që meriton të mbështetet, por dhe për të përcaktuar kufijtë me kundërshtarin e tij më të fortë brenda partisë, ish-Presidentin Donald Trump.

Teksa vizitoi 12 qytete në tre shtete, ku do të mbahen garat e para në mesin e republikanëve për të përcaktuar kandidatin zyrtar të partisë, zoti DeSantis tha se ai është një alternativë më konservatore dhe me e qëndrueshme, sesa Donald Trump-i.

Ish-Presidenti u përgjigj, çka shënoi një përshkallëzim të papritur të betejës në distancë mes dy pretendentëve kryesorë republikanë, që jo vetëm rriti tensionet në garën brenda partisë, por dhe shërbeu si pasqyrë e strategjisë fillestare të zotit DeSantis.

Gjatë takimeve në shtetet e Ajouas, Nju Hempshërit dhe Karolinës së Jugut këtë javë, guvernatori u shfaq si një luftëtar i paepur për çështje të tilla si aborti, emigracioni, shpenzimet qeveritare, krimi si dhe çështje që lidhen me të drejtat e komunitetit LGBTQ.

Për herë të parë, zoti DeSantis nisi të vërë në pah kontrastin e fortë mes tij dhe zotit Trump, duke e cilësuar ish-presidentin si një politikan që kishte humbur rrugën, e që falë kompromiseve të lehta, ishte shdërruar në një ‘krijesë të qeverisë’, në vend që ta transformonte.

Kampi i zotit Trump është përpjekur të bëjë të njëjtën gjë me zotin DeSantis, duke e quajtur atë një "kukull të moçalit" dhe duke nënvlerësuar arritjet e tij si guvernator i Floridës. Në një parti ku ardhja nga jashtë politikës ndjell më shumë mbështetje tek masa, si zoti Trump ashtu edhe zoti DeSantis, nuk dëshirojnë të etiketohet si kandidatë që vijnë nga brenda sistemit.

Fushata e zotit DeSantis në tre shtete synoi çimentimin e idesë mes republikanëve, se ai është kërcënimi më i madh për zotin Trump.

Ai zhvilloi kryesisht takime në ambjente të vogla, të mbushura me turma mbështetësisht, por disa pjesëmarrës i thanë agjencisë së lajmeve ‘Reuters’, se nuk kishin vendosur ende se për kë do të votonin.

Gjatë fjalimeve të tij zoti DeSantis nuk e kritikoi me emër zotin Trump, por tha se ai vetë do të ishte kandidati që "më në fund" do ta bënte të sigurt kufirin jugor të vendit e që mendonte se roli prej udhëheqësi ishte më i rëndësishëm sesa "krijimi i një marke".

Por duke folur për mediat, zoti DeSantis u tregua më pak kujdesshëm, duke sugjeruar se zoti Trump, rivali i tij kryesor, ishte zhvendosur në të "majtë" gjatë mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë dhe se ai nuk ishte më i njëjti persona, me atë që kandidoi në vitin 2016.

Zoti DeSantis kujtoi se si guvernator i Floridës ai kishte miratuar një varg të gjatë reformash konservatore.

Sipas një sondazhi më të fundit të agjencisë 'Reuters' dhe kompanisë ‘Ipsos’ të kryer në muajin maj, zoti Trump dominon kampin republikan me 49% mbështetje, e më pas renditet zoti DeSantis me 19%.

XS
SM
MD
LG