Lidhje

Vuçiç: Do të bisedoj më serbët e Kosovës për situatën në veri


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të mërkurën se nga 9 deri më 12 qershor do të bisedojë me serbët e Kosovës, lidhur me situatën në veri, mes thirrjeve perëndimore drejtuar Prishtinës dhe Beogradit që të punojnë për uljen e tensioneve.

Tensionet pasuan vendimin e qeverisë në Prishtinë për të dërguar në zyrat komunale në veri kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe. Grupe serbësh u hodhën në protesta gjatë të cilave pati edhe përleshje të dhunshme që çuan në plagosjen e të paktën 30 pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i bëri thirrje të mërkurën Kosovës të tërheq njësitë e posaçme të policisë si dhe kryetarët e komunave nga zyrat e tyre në veriun e banuar me shumice serbe, ndërsa Beogradit të ushtrojë ndikimin e tij për largimin e protestuesve dhe për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja në zonë, pa kushte. Zoti Escobar tha se mori zotimin e presidentit serb se do të ushtrojë ndikimin e për t’i bindur serbët të marrin pjesë në zgjedhje.

“Dua t’i falënderoj ata që po luftojnë për të drejtat e tyre në mënyrë paqësore dhe të dinjitetshme. Është e rëndësishme që të ruhet paqja dhe të bisedohet me të gjithë”, tha presidenti Vuçiç

Ai foli shkurt për Kosovën në një konferencë të përbashkët me kryeministren serbe Ana Bërnabiç, e cila tha se është e gatshme të jap dorëheqjen pas disa javë protestash antiqeveritare në Serbi.

Për pesë javë rresht, dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në protesta duke fajësuar kulturën e dhunës për vdekjen e 18 personave në dy varsje në masë në fillim të muajit maj.

Protestuesit e opozitës kërkojnë dorëheqjen e zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe heqjen e licencave të transmetimit për rrjetet televizive të cilat, thonë ata, promovojnë dhunën dhe lavdërojnë figurat e krimit.

Një protestë e re është planifikuar për të premten, në atë që po bëhet një sfidë gjithnjë e më serioze për presidentin Vuçiç, ndoshta më e madhja me të cilën ai është përballur që nga ardhja në pushtet 11 vjet më parë.

Kryeministrja Bërnabiç tha se qeveria e saj, ishte e gatshme të takohej me opozitën për të diskutuar, por “ata nuk duan të bisedojnë”.

Udhëheqësit e opozitës kanë thënë se do të takohen me qeverinë pasi të plotësohen të gjitha kërkesat e tyre, përfshirë shkarkimin e ministrit të brendshëm dhe shefit të shërbimit sekret.

Kryeministrja Bërnabiç tha se e ka të gatshme dorëheqjen dhe është në favor të zgjedhjeve të parakohshme deri në fund të vitit, por vendimi i takon presidentit Vuçiç, i cili tha ndërkaq që nëse opozita nuk pranon të bisedojë, zgjedhjet janë të pashmangshme.

Opozita e ka akuzuar presidentin Vuçiç për nxitje të jo tolerancës dhe gjuhës së urrejtjes gjatë qeverisjes së tij gjithnjë e më autokratike, ndërsa ka marrë në mënyrë të paligjshme kontrollin e të gjitha institucioneve shtetërore. Vuçiç i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se grupet opozitare duan rrëzimin e tij me forcë.

Dy vrasjet në masë me 3 dhe 4 maj tronditën vendin, veçanërisht sulmi i parë që ndodhi në një shkollë fillore në qendër të Beogradit, kur një djalë 13-vjeçar mori armën e babait të tij dhe hapi zjarr ndaj shokëve të tij. Tetë nxënës dhe një roje shkolle u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën. Një vajzë tjetër vdiq më vonë në spital nga plagët në kokë.

Një ditë më vonë, një 20-vjeçar përdori një armë automatike për të qëlluar mbi njerëzit në dy fshatra në jug të Beogradit, duke vrarë tetë persona dhe duke plagosur 14 të tjerë.

Autoritetet kanë nisur mbledhjen e armëve pas sulmeve dhe kanë dërguar policinë në shkolla në një përpjekje për të rritur një ndjenjë sigurie.

Serbia është e mbushur me armë të mbetura nga luftërat e viteve të 90-ta.

XS
SM
MD
LG