Lidhje

SHBA: Kina përmirësoi operacionet e spiunazhit në Kubë me objektiv Shtetet e Bashkuara


Shtetet e Bashkuara thanë të hënën se në vitin 2019 Kina i përmirësoi operacionet e saj të spiunazhit në Kubë, që kanë si objektiv Shtetet e Bashkuara, edhe pse Pekini i hodhi poshtë pretendimet se po zhvillonte një operacion të mbledhjes së të dhënave në shtetin ishull.

Të dhënat u bënë të njohura nga një zyrtar i administratës së Presidentit Biden i cili i bëri komentet në kushte anonimiteti.

Zyrtari amerikan tha se operacioni i Kinës në Kubë për mbledhjen e të dhënave ishte "i mirëdokumentuar" kur Presidenti Joe Biden mori detyrën në vitin 2021. “Është një çështje e trashëguar nga kjo administratë”.

“Ishte vlerësimi ynë që, megjithë ndërgjegjësimin për përpjekjet bazë dhe disa përpjekje për të adresuar këtë sfidë” gjatë mandatit të ish-Presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, “ne nuk po bënim përparim të mjaftueshëm dhe kishim nevojë për një qasje më të drejtpërdrejtë”, tha zyrtari.

“Brenda disa muajsh, ne e bëmë këtë, dhe e kemi zbatuar këtë qasje që atëherë në heshtje, me kujdes, por me rezultate”, tha zyrtari. “Strategjia jonë i ka bazat tek diplomacia. Jemi angazhuar dhe kemi shkëmbyer informacione në nivele të larta me qeveri që po marrin në shqyrtim mundësinë e një baze kineze”.

Zyrtari tha se ekspertët amerikanë vlerësojnë se përpjekjet tona diplomatike e kanë ngadalësuar Kinën dhe se Pekini nuk ka arritur objektivin që kishte shpresuar në përpjekjet e tyre për spiunazh.

Por zyrtari tha se: “Ka ende sfida dhe vazhdojmë të jemi të shqetësuar” lidhur me përpjekjet e Kinës në Kubë. Kina “do të vazhdojë të përpiqet të rrisë praninë e saj në Kubë dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për ta penguar atë”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin, tha në një konferencë shtypi se pretendimet për përpjekje spiunazhi në Kubë ishin të rreme dhe se Shtetet e Bashkuara po jepnin informacione kontradiktore.

Komentet e zëdhënësit Wang vijnë disa ditë pasi një zyrtar i administratës së Presidentit Biden tha se prej disa kohësh Kina kishte kryer operacione spiunazhi nga Kuba, vend i cili ndodhet rreth 160 kilometra larg nga Florida.

Në një postim në rrjetin Twitter të shtunën, Zëvendësministri i Jashtëm kuban Carlos Fernández de Cossío e quajti akuzën “spekulim shpifjesh”.

Zhvillimet vijnë ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken pritet të vizitojë së shpejti Pekinin. Planet e tij të mëparshme për të vizituar Kinën në shkurt u anuluan mes një rritjeje tensionesh pasi një balonë spiune kineze fluturoi mbi Shtetet e Bashkuara.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb kontribuoi për këtë artikull. Disa të dhëna u morën nga Associated Press dhe Reuters.

XS
SM
MD
LG