Lidhje

Gjykata e Serbisë urdhëron paraburgimin e tre policëve të Kosovës


Një gjykatë në Serbi urdhëroi të premten mbajtjen në paraburgim dhe hetimin e tre policëve të Kosovës që u arrestuan më 14 qershor në një incident që rriti tensionet midis dy vendeve.

Gjykata e Serbisë urdhëron paraburgimin e tre policëve të Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:08 0:00

"Sipas propozimit të prokurorit publik, gjyqtari i procedurës të Gjykatës së Lartë në Kralevë, urdhëroi ndalimin e të gjithë të dyshuarve", thuhet në një deklaratë të zyrës së Prokurorisë Publike në Kralevë, një qytet në jugperëndim të Serbisë.

Prokuroria akuzon tre policët për “prodhim, posedim, mbajtje dhe trafik të paautorizuar të armëve dhe lëndëve shpërthyese”, thuhet në deklaratë.

Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duke e akuzuar Serbinë për “cenim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore” të Kosovës. Beogradi thotë ndërkaq se policët janë kapur brenda territorit të Serbisë.

KFOR: E paqartë ku ishin policët që u arrestuan nga forcat serbe

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja thanë se mbetet e paqartë se ku ndodheshin pjesëtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit nga forcat serbe.

Në një njoftim të KFOR-it thuhet se misioni ka shqyrtuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka biseduar me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe për këtë çështje.

“Në këtë lokacion, afër vijës kufitare administrative, si institucionet në Kosovë ashtu edhe autoritetet serbe kanë përgjegjësi të qarta për t'u bashkërenduar me KFOR-in. U kujtojmë të dyja palëve përgjegjësitë e tyre sipas marrëveshjes ushtarako-teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, dhe procedurat për bashkërendim ndërmjet Policisë së Kosovës, përfshirë atë kufitare, me KFOR-in”, thuhet në komunikatë në të cilën nënvizohet se “vendosja e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it”.

Në komunikatë u bëhet thirrje palëve “t'u përmbahen këtyre marrëveshjeve dhe procedurave për të bashkëpunuar me KFOR-in. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga retorika provokuese dhe të shmangin çdo veprim të njëanshëm që mund të përshkallëzojë tensionin në zonë”,

KFOR-i mirëpret “përpjekjet e komunitetit diplomatik për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në komunikatë duke nënvizuar se në bashkërendim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, KFOR-i vazhdon të kryejë mandatin e tij si reagues i tretë, mbështetur në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tyre.

Ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha sot gjatë një konference me gazetarë pas takimit me ministrin e jashtëm të Bosnje e Hercegovinës se situata është jashtëzakonisht e tensionuar në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve, Serbisë dhe Kosovës, që të bëjnë gjithçka që është e mundur pa vonesë për të zbutur këtë situatë të zymtë. Si Bashkim Evropian, ne e kemi bërë shumë të qartë këtë në deklaratën e 3 qershorit. Një nga hapat e parë të rëndësishëm përfshin lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës të ndaluar së fundmi nga Serbia”, tha ajo.

Shefi i politikës se Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, paralajmëroi të enjten se do t’i thërras Kosovën dhe Serbinë në një takim javën e ardhshme në Bruksel, për menaxhimin e krizës, në dritën e tensioneve të larta të cilat u shtuan pas arrestimit të policëve të Kosovës.

Tensionet janë të larta që nga 26 maji prej kur grupe qytetarësh serbë po protestojnë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Grupe qytetarësh serbë protestuan edhe sot para ndërtesës së komunës së Leposaviçit kundër vizitës së ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili vizitoi kryetarin e dalë nga zgjedhjet e 23 prillit e që nuk pranohet nga serbët.

“Ne me të vërtetë duam dhe kërkojmë që të gjithë këta njerëz që me përdorimin e forcës u sollën në këtë godinë, të largohen nga ndërtesa që ne t'i kthehemi jetës normale dhe që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen me dialog, duke respektuar këta njerëz”, tha ish kryetari i komunës së Leposaviqit, Zoran Todiç.

Asociacioni i gazetarëve të Kosovës njoftoi se në këtë komune janë sulmuar ekipet e mediave, dhe janë lënduar disa gazetarë dhe kameramanë. Duke i dënuar ashpër sulmet, Asociacioni u bën thirrje policisë së Kosovës, dhe pranisë ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri gazetarëve.

Tensionet ne veri të Kosovës që u përshkuan në disa raste me dhunë kanë shtyrë NATO-n të shtojë praninë e saj në terren mes shqetësimeve për mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në rajon.

XS
SM
MD
LG