Lidhje

Klan Kosova mbetet me certifikatë të pezulluar biznesi


Agjencia e Kosovës për Regjistrimin e Bizneseve vendosi të enjten anulimin e vendimit të një dite më parë me të cilin hoqi pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova, duke nxitur reagimin e televizionit dhe të shoqatave të gazetarëve e medieve në Kosovë.

Me 14 qershor Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ngriti kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA”, me “pretendimin se në certifikatën biznesit te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”, duke shtuar se “nuk lejohet regjistrimi i një biznesi ku vendbanimi është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që në bazë të këtij dokumenti vërtetohet se qyteti i Pejës dhe Gjakovës është nën administrimin e Republikës së Serbisë”.

Pezullimi i certifikatës, që pasoi një shkrim në portalin Kosova Neës rreth kësaj çështjeje, nxiti reagime në shkallë të gjerë të organizatave vendase e ndërkombëtare të gazetarëve, medieve dhe diplomatëve perëndimorë në në Kosovë.

Më 16 qershor Komisioni i Pavarur i Mediave miratoi vendimin që e detyron televizionin kombëtar Klan Kosova që brenda 30 ditësh të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm për mbajtjen e licencës.

Më 21 qershor Agjencia e Kosovës për Regjistrimin e Bizneseve anuloi vendimin për pezullimin e cerifikatës se biznesit, për ta rikthyer sërish sot vendimin për pezullim.

Klan Kosova reagoi duke shprehur “habinë me këtë vendim të ri të ARBK-së dhe paralajmëroi hapa ligjorë për këtë çështje.

Në një reagim të televizionit thuhet se veprimet e tilla “janë tendencë e qartë për të pamundësuar veprimin e medias së pavarur dhe shprehjes së fjalës së lirë.“Klan Kosova, si dhe deri më tash, edhe për këtë hap do t’i njoftojë të gjitha organizatat dhe institucionet e medias dhe gazetarëve në vend dhe në botë, përfaqësitë diplomatike dhe misionet ndërkombëtare të akredituara në Kosovë”, thuhet në reagimin e televizionit.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se e ka pranuar me shqetësim lajmin, duke nënvizuar se vendimi i ri e dëshmon përpjekjen e qeverisë së Vetëvendosjes të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti “për të goditur mediet në Kosovë, dhe për të kufizuar lirinë e mediave e për t’iu dërguar mesazhe paralajmërimi edhe medieve të tjera në vend”.

Duke e cilësuar veprimin të papranueshëm dhe joserioz, AGK-ja shpreh bindjen se ai “do të dëmtojë më tutje ambientin medial në Kosovë”.

XS
SM
MD
LG