Lidhje

Kosovë: Aktakuzë për krime lufte kundër një pjesëtari të komunitetit serb


Prokuroria e Posaçme e Kosovës njoftoi të premten për ngritjen e aktakuzës kundër një pjesëtari të komunitetit serb, nën dyshimet për përfshirje në krime te luftës kundër popullsisë civile.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se M.Gj. nga fshati Vitomiricë i komunës së Pejës, rreth 85 kilometra në perëndim të Prishtinës, dyshohet se ishte pjesë e një grupi të forcave serbe që ekzekutuan të paktën 19 civilë shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

Sipas prkurorisë me 7 maj të vitit 1999, ai dhe pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, fillimisht rrethuan fshatin Ozdrim në komunën e Pejës, dhe më pas nisën një ofensivë ushtarake - policore, “duke shtënë me armë në drejtim të popullsisë civile me ç’rast u vranë 19 civilë të përkatësisë kombëtare shqiptare”.

I akuzuari është arrestuar në qershor të vitit të kaluar dhe prej atëherë ndodhet në paraburgim.

Mbi dhjetë mijë veta, kryesisht shqiptarë, u vranë dhe mijëra të tjerë u zhdukën gjatë luftës së viteve 1998-1999 ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave serbe. Rreth një milion veta u dëbuan nga shtëpitë e tyre para se ndërhyrja e NATO-s kundër forcave serbe t’i jepte fund luftës gati dyvjeçare.

Nëntë vjet pas asaj lufte Kosova shpalli pavarësinë e saj që është njohur nga shumica e vendeve perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

XS
SM
MD
LG