Lidhje

Lirohen tre policët e Kosovës që mbaheshin në Serbi


Një gjykatë në Serbi urdhëroi lirimin nga paraburgimi të tre policëve të Kosovës që po mbaheshin në paraburgim nga 14 qershori.

Në një deklaratë të gjykatës në Kralevë, një qytet në jugperëndim të Serbisë “konfirmohet aktakuza kundër të pandehurve dhe mori vendimin me të cilin të pandehurve u ndërpritet paraburgimi”.

Tre policët e Kosovës akuzohen për “prodhim, posedim, mbajtje dhe trafik të paautorizuar të armëve dhe lëndëve shpërthyese”.

Arrestimi i policëve më 14 qershor shtoi tensionet midis dy vendeve.

Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duke e akuzuar Serbinë për “cenim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore” të Kosovës.

Beogradi thotë ndërkaq se policët janë kapur brenda territorit të Serbisë.

Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë e vendeve euro-perëndimore kërkuan lirimin e pakusht të policëve dhe hedhjen e hapave për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani falënderoi Shtetet e Bashkuara “për gjithë punën që kanë bërë për lirimin e tre policëve të Republikës së Kosovës që po mbaheshin të kidnapuar pas aktit të agresionit që Serbia kishte kryer ndaj Republikës së Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një postim në rrjetet sociale shkroi se “edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, po gjithsesi shumë i mire. Ai shkroi në rrjetet sociale se “kjo i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e de-eskalimit e të dialogut. Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës”, shkroi ai duke uruar që të nisë menjëherë shtensionimi i situatës nga të gjithë.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, shkroi se presidenti serb Aleksandar Vuçiç e ka njoftuar “se në përputhje me kërkesën e bërë në takimin tonë javën e kaluar, autoritetet serbe së shpejti do t'i lirojnë nga paraburgimi tre policët e Kosovës të arrestuar më pare”.

Ai tha se e vlerëson shumë hapin e presidentit Vuçiç, “të cilën ai e mori në një periudhë sfidash serioze dhe vendim i cili është një dëshmi e qartë e bashkëpunimit strategjik mes vendeve tona dhe e përkushtimit tonë të ndërsjellë për paqen dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit”.

Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u rritën në fund të muajit të kaluar kur autoritetet nisën të zbatojnë rezultatin e zgjedhjeve të 23 prillit, të bojkotuara nga partitë politike serbe. Në komunat veriore grupe qytetarësh serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen nëpër zyra komunale të kryetarëve shqiptarë.

Arrestimi i tre pjesëtarëve të policisë së shtoi edhe më shumë tensionet ndërmjet palëve.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, takoi ndarazi në Bruksel të enjten me 22 qershor kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në përpjekje për të gjetur rrugëdalje nga kriza.

Zoti Borrell, tha pas takimeve se është arritur pajtimi për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja veri të Kosovës, ndërsa u paraqiti palëve pritjet e Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës.

“Për Kosovën që menjëherë të pezullojë operacionet policore në ndërtesat e komunave në veri dhe që katër kryetarët e komunave përkohësisht t’i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale. Serbia të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me largimin e policisë së Kosovës”, tha zoti Borrell.

Të dyja palët tha ai, duhet të shpallin zgjedhjet e reja në të katër komunat, me pjesëmarrje të pakusht të serbëve në to.

XS
SM
MD
LG