Lidhje

Pas humbjes në zgjedhje Alexis Tsipras dorëhiqet si kryetar i partisë Syriza


Greece Elections
Greece Elections

Alexis Tsipras është dorëhequr si kryetar i partisë Syriza pas rezultatit zhgënjyes të partisë së majtë në zgjedhjet e 25 qershorit në Greqi. Zoti Tsipras, i cili drejtoi qeverinë greke nga viti 2015-2018, tha se ishte koha për një cikël të ri ndërsa theksoi se partia e tij kishte një plan krejt ndryshe nga kundërshtarët e partisë Demokracia e Re të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, për forcimin e vendit.

Pas humbjes në zgjedhje Alexis Tsipras dorëhiqet si kryetar i partisë Syriza
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:03 0:00

Pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, Alexis Tsipras u dorëhoq nga drejtimi i partisë Syriza.

“Rezultati i zgjedhjeve ishte një tronditje e dhimbshme për ne”, u shpreh ai.

Në fjalimin televiziv zoti Tsipras tha se rezultati negative në zgjedhje duhet t’i hapë udhë një cikli të ri ndërsa u shpreh i shqetësuar mbi ndikimin që do të mbi shoqërine greke udhëheqja nga partia Demokracia e Re e zotit Kyriakos Mitsotakis, që fitoi një mandat të dytë qeverisës.

“Jam i shqetësuar se rezultati i këtyre zgjedhjeve do të jetë i dhimbshëm për shoqërinë, edhe për ata që votuan për Demokracinë e Re, sepse po krijohen lidhje të tilla që, nëse përsëriten sërish në zgjedhjet e ardhshme, mund të çojnë në pasoja të rënda për shoqërinë dhe në pushtet absolut të qeverisë”, shtoi ai.

Zoti Tsipras drejtoi qeverinë greke si kryeministër nga viti 2015-2018, në një kohë kur ekonomika greke ishte goditur rëndë. Si kryeministër gjatë krizës së borxhit në Greqi, ai kundërshtoi masat shtrënguese dhe paketën e shpëtimit prej 240 miliardë eurosh të mbështetur nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar që sipas tij shkaktoi një krizë humanitare në Greqi.

Pas mujsh të tërë përballjesh me vendet e tjera të Eurozonës, zoti Tsipras u detyrua të ndërmerrte masa shtrënguese që garantonin kontroll mbi kapitalin dhe thirri një referendum lidhur me një propozim të huadhënësve ndërkombëtarë për një paketë shpëtimi financiar, duke u kërkuar qytetarëve të tij të mos e pranonin atë.

Në fakt, grekët nuk e mbështetën planin, por zoti Tsipras u detyruar të pranonte një plan tjetër edhe më të ashpër për të shmangur rrezikun e daljes së Greqisë nga zona e Euros.

Gjatë kohës që ai shërbente si kryeministër, në vitin 2018, Greqia i dha fund një mosmarrëveshjeje të vjetër me Maqedoninë e Veriut mbi çështjen e emrit të kësaj të fundit.

Në fjalimin e dorëheqjes ai tha se partia e tij kishte një vizion ndryshe për Greqinë, një plan tjetër nga ai i partisë Demokracia e Re e kryeministrit Mitsotakis.

“Kemi plane, pikëpamje dhe vizione të ndryshme për Greqinë. Vizioni ynë është për një shoqëri të drejtë dhe demokratike, me më pak pabarazi, një vend më të fortë, që do të ketë rritje ekonomike e ku pasuria do të shpërndahet në mënyrë të drejtë mes qytetarëve”, tha ai.

Në muajin janar të këtij viti, zoti Tsipras paraqiti në parlament një mocion mosbesimi kundër qeverisë konservatore të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis lidhur me një skandal përgjimi, të cilit ky i fundit arriti t’i shpëtonte.

I shkolluar për inxhinieri ndërtimi, ai u përfshi në politikën e majtë që kur ishte student. Në atë kohë ai ishte anëtar i rinisë komuniste.

Zoti Tsipras është baba i dy fëmijëve.

XS
SM
MD
LG