Shitësit e paligjshëm të kimikateve të përdorura për prodhimin e fentanilit të fuqishëm sintetik, një lloj i opioideve, po shfrytëzojnë platformat kryesore në internet për të reklamuar produktet e tyre. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias, ka dyshime se trafikantët i fusin kontrabandë këto substanca në Shtetet e Bashkuara.
Agjencitë e zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara i kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për të frenuar kontrabandën e fentanilit dhe substancave të tjera të ngjashme në Shtetet e Bashkuara.
Opioidet sintetike janë rreth njëqind herë më të fuqishme se morfina në lehtësimin e dhimbjes. Vetëm disa miligramë mund të jenë vdekjeprurëse për njeriun.
"Shtëpia e Bardhë dhe DEA punuan së bashku për të ndalimin në 2019 të fentanilit dhe substancave të ngjashme. Kina, në fakt, ra dakord të ndalonte të gjitha eksportet e substancave të ngjashme me fentanilin në të njëjtën kohë", thotë Logan Pauley, analist i rrjetit të drogës sintetike.
Por shitja e përbërësve, substancave të përdorura për të prodhuar ilegalisht fentanilin, vazhdon të përhapet në internet.
Zëri i Amerikës bëri kërkime në internet për këto substanca, të cilat u shfaqën në faqe të zakonshme interneti, përfshirë platformën e hapur “SoundCloud”, ku furnizuesit e dyshuar të drogave postuan informacionet e tyre të kontaktit.
Përmes mesazheve me celularë, ne fituam njohuri se si operojnë shitësit e dyshuar të paligjshëm.
Të gjithë ata pretenduan se ishin në Kinë.
Ata ofruan një lloj fentanili që është nën kontroll të rreptë nga autoritetet amerikane, një masë që po shqyrtohet edhe nga Kina. Ata ofruan një substancë të ngjashme, për të cilën Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e ndalimit në vend.
Disa thanë se rruga e tyre e preferuar e shpërndarjes është përmes Shteteve të Bashkuara, ku ata pretendojnë se kanë magazina.
Dërgimi direkt në Shtetet e Bashkuara i pakove mund të zgjasë deri në tre javë.
Çmimet fillonin nga 100 dollarë për kilogram, dhe disa prej shitësve pranonin pagesa me monedhën dixhitale Bitcoin.
Për të shmangur zbulimin nga autoritetet, dërgesat, shpjeguan ata, ndonjëherë etiketohen si "ushqim për macet".
“Fentanili, përbërësit e fentanilit dhe droga të tjera sintetike po dërgohen përmes transportuesve të mallrave dhe ndërmjetësve. Pra, kur shikoni faturën aktuale të dërgesës, të dhënat tregtare të lidhura me një dërgesë të paligjshme, mund të mos gjeni emrin e kompanisë kineze që e ka prodhuar atë", thotë analisti Logan Pauley.
Zëri i Amerikës nuk arriti t’i verifikonte në mënyrë të pavarur pretendimet e bëra nga shitësit e dyshuar të paligjshëm ose natyrën e opioideve që ata ofronin.
Për konsumatorët, fentanili mund të jetë i rrezikshëm.
Më shumë se 75 mijë mbidoza fatale nga fentanili dhe lloje të tjera të opioideve sintetike u raportuan në vitin 2022, sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve.
“Autoritetet përkatëse që i prodhojnë opioidet për qëllime legjitime, i kombinojnë me kujdes dhe saktësi substancat përbërëse dhe i publikojnë detajet e tyre. Për entitetet që i shesin ato në internet, blerësi duhet të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm sepse produktet që ata i blejnë mund të mos jenë të sakta”, thotë Dr. Wilson Compton nga Instituti Kombëtar për Abuzimin me Droga.
Autoritetet kineze në Uashington iu përgjigjën me shkrim kërkesës së Zërit të Amerikës për koment, duke theksuar se "Kina i respekton rregullat e përdorimit të përbërësve të opioideve".
Sipas zëdhënësit Liu Pengyu, Kina ka një sistem licencimi dhe verifikimi për të gjitha substancat e klasifikuara si të rrezikshme. Dhe në vitin 2021 arrestoi më shumë se 8000 të dyshuar trafikantë në internet.
“SoundCloud” fshiu postimet mbi shitjen e fentanilit pasi Zëri i Amerikës i solli ato në vëmendjen e kompanisë. Por ekspertët thonë se ky është një problem i vazhdueshëm.
“Mendoj se forcat e zbatimit të ligjit duhet të bëjnë diçka që ata nuk e kanë bërë në të kaluarën, të ndajnë informacione specifike taktike brenda një kohe të shkurtër. Ne nuk mund të presim nga kompanitë e mediave sociale apo institucionet financiare që ta përpunojnë këtë lloj informacioni në mënyrë të shpejtë, kur vetë qeveria amerikane ka vështirësi ta bëjë këtë”, thotë ish-agjenti i DEA-s Chris Urben.
Dr. Rahul Gupta, drejtor për Politikat Kombëtare të Kontrollit të Drogës në Shtëpinë e Bardhë, tha se administrata e Presidentit Biden po punon me kompanitë e mediave sociale brenda Shteteve të Bashkuara dhe në mbarë globin për të goditur trafikantët e drogës.
“Ne po luftojmë kundër trafikantëve dhe prodhueseve të opioideve sintetike, duke u përqëndruar në zinxhirin e tyre të furnizimit, aty ku ne mendojmë se do të ketë rezultate më të mëdha”, thotë ai.
Ndonëse nuk mund ta konfirmonte natyrën e opioideve sintetike që Zëri i Amerikës gjeti në internet, Zyra e zotit Gupta tha se do t'ia kalonte gjetjet tona agjencive federale të zbatimit të ligjit për hetime të mëtejshme.