Lidhje

Presidenti Biden rithekson mbështetjen për anëtarësimin e Suedisë në NATO


Presidenti Joe Biden gjatë takimit me Kryeministrin suedez Ulf Kristersson në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë (5 korrik 2023)
Presidenti Joe Biden gjatë takimit me Kryeministrin suedez Ulf Kristersson në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë (5 korrik 2023)

Presidenti Joe Biden bëri një shfaqje publike të mërkurën të mbështetjes për anëtarësimin e Suedisë në NATO, gjatë bisedimeve që zhvilloi me Kryeministrin e këtij vendi, Ulf Kristersson, në Shtëpinë e Bardhë.

Të dielën Presidenti Biden niset për një udhëtim në tre vende evropiane, mes të cilave ndalesa më e rëndësishme ajo në kuadër të takimit të nivelit të lartë NATO-s, që mbahet në Vilnius, të Lituanisë.

Gjatë takimit në Zyrën Ovale, me në krah zotin Kristersson, Presidenti Biden tha se donte të përsëriste mbështetjen e Uashingtonit për pranimin e Suedisë në NATO dhe se po priste me padurim që një gjë e tillë të ndodhte.

Zoti Kristersson falënderoi Presidentin Biden për ftesën dhe tha se Suedia "e vlerëson shumë" mbështetjen e tij në këtë proces.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO vitin e kaluar, duke hequr dorë nga politika e mosangazhimit ushtarak pas sulmit rus në Ukrainë. Që një vend të bëhet anëtar i NATO-s, vendimi duhet të jetë unanim nga të gjithë anëtarët e aleancës. Por deri tani Turqia dhe Hungaria nuk e kanë miratuar protokollin e anëtarësimit të Suedisë.

Presidenti turk Tajip Erdogan akuzon Stokholmin se po strehon anëtarë të grupeve militante që Ankaraja i konsideron si terroristë.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë punuar për të kapërcyer pengesat që ka krijuar Turqia në këtë proces. Zoti Erdogan është ankuar se mbështetësit e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në Suedi, një parti që Turqia e ka shpallur të paligjshme, kanë vazhduar të organizojnë demonstrata dhe të financojnë ato që ai i quan, grupe terroriste. Zoti Erdogan e konsideron këtë një gjë të papranueshme për Turqinë.

Si pjesë e një marrëveshjeje të arritur mes Turqisë, Suedisë dhe Finlandës, Stokholmi ka miratuar një sërë reformash, përfshirë dhe një ligj të ri kundër terrorizmit, por megjithatë kjo duket se nuk e ka bindur ende Ankaranë.

Të enjten përfaqësues të Suedisë, Turqisë dhe NATO-s do të takohen në Bruksel në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje përpara takimit të nivelit të lartë të aleancës që mbahet javën e ardhshme.

XS
SM
MD
LG