Në Shqipëri, përfaqësuesit e Partisë socialiste dhe të opozitës në Këshillin e Mandateve ranë dakort të mërkurën që t’i hapin rrugë kërkesës së Prokurorisë së posaçme për arrestimin e ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Palët megjithatë debatuan gjatë për datën e zhvillimit të seancës kur do të duhet të votohet. Opozita e cila kishte përgatitur paraprakisht raportin e saj, këmbënguli që kjo çështje të përfshihet që në rendin e ditës të seancës së nesërme. Ndërkohë që socialistët deklaruan se ata do të duhet të përgatisin më parë raportin e tyre, pasi dëgjuan gjatë pasdites së sotme dhe qëndrimet e avokatëve mbrojtës të zotit Ahmetaj.
Seanca për votim është parashikuar të hënën pasdite, ndonëse kryetari i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi deklaroi se ata do të paraqesin nesër kërkesën zyrtare për ndryshimin e rendit të ditës së seancës së parlamentit, në mënyrë që të futet dhe votimi për arrestimin e zotit Ahmetaj.
Ish zëvendëskryeministri akuzohet për të paktën tre vepra penale, nga korrupsioni, te fshehja apo mosdeklarimi i pasurive dhe pastrimi i parave. Hetimet ndaj tij për rolin në çështjen e inceneratorëve nxorrën në pah lidhjet e ngushta me dy sipërmarrësit, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përfituesit e koncensioneve të trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Fier e Tiranë.
Sipas Prokurorisë ai ka ndikuar dhe në procedurat për koncensionet. “Që në lindjen e këtyre procedurave e deri në perfundimin e tyre dhe përsa kohë që edhe janë kryer pagesa në kohën që shtetasi Arben Ahmetaj ka ushtruar detyrën e Ministrit te Financave, tregojnë më së qarti se roli i personit nën hetim Arben Ahmetaj, ka qene i tillë që, përveçse nuk është bërë pengues, ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur në prova, se është shpërblyer për çdo miratim të dhënë prej tij”, vlerëson Prokuroria e posaçme.
Por avokatët e tij deklaruan pas paraqitjes së qëndrimit të tyre në mbledhjen e Këshillit të Mandateve se “ne nuk vërejtëm kërkund në relacionin që shoqëronte kërkesën e Prokurorisë, asnjë rresht që të justifikonte, interpretonte dhe analizonte se përse Prokuroria ka nevojë për kontroll banese dhe masë sigurie sigurie ndaj tij. tani në përfundim të hetimeve. Ç’vlerë ka kontrolli I banesës përveçse një shoë, të dërgosh 5 fugon me policë për të përdhosur banesën e një deputeti, për të kënaqur epshet e një karkteri jo etik të njerëzve, se si dhunohet banesa e një deputeti. Edhe për masën e sigurisë nuk gjetm asgjë që të përmbante fakt, arsye, se përse duhej kjo masë sigurie. Jemi kundër arrestit”, u shpreh avokati Ardian Visha
Zoti Ahmetaj, rezulton të jetë larguar nga Shqipëria, të premten, përmes kufirit me Greqinë, pak orë përpara se kërkesa e Prokurorisë të dorëzohej në parlament. Avokatët deklaruan se janë në komunikim me të, por refuzuan të japin hollësi për vendndodhjen e tij e po ashtu thanë se është në vlerësimin e vetë ish zëvendëskryeministrit nëse do të kthehet ose jo në Shqipëri.