Lidhje

Sekretari Blinken në takimin e ASEAN-it


Ministrat e Jashtëm të Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore, dënuan përsëri dhunën e vazhdueshme në Mianmar. Junta ushtarake në pushtet vazhdon shtypjen e përgjakshme të kundërshtarëve pro-demokracisë. Në një takim të nivelit të lartë në Xhakarta të Indonezisë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken kërkoi mbështetjen e aleancës për të kundërshtuar mbështetjen e Kinës për juntën në Mianmar dhe agresionin e Pekinit në Detin e Kinës Jugore.

Sekretari Blinken në takimin e ASEAN-it
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:55 0:00

Në një takim të ASEAN-it në Xhakarta të Indonezisë, Sekretari i Shtetit Antony Blinken theksoi se Shtetet e Bashkuara ndajnë me vendet anëtare vizionin e një rajoni të lirë, të hapur, të begatë, të sigurt, të ndërlidhur dhe të qëndrueshëm në Indo-Paqësor.

Mianmari është ndaluar të marrë pjesë në takimet e grupit për shkak se junta ushtarake ka dështuar në respektimin e një marrëveshje dyvjeçare për të ndaluar dhunën e shkaktuar nga grushti ushtarak i vitit 2021. Sekretari Blinken përmendi problemet e shkaktuara nga Mianmari dhe Koreja e Veriut.

“Ndërsa regjimi ushtarak në Mianmar vazhdon të kryejë mizori dhe të minojë stabilitetin rajonal, në takime pati mbështetje të gjerë për të vazhduar trysninë ndaj regjimit për t'i dhënë fund dhunës dhe për të përmbushur angazhimet në bazë të marrëveshjes me ASEAN-in. Programet e paligjshme të Koresë së Veriut për armët e shkatërrimit në masë dhe programet e raketave balistike, përfshirë lëshimin e fundit të raketës balistike këtë javë, kërcënojnë gjithashtu rajonin dhe marrëveshjen ndërkombëtare për mospërhapjen e armëve bërthamore”.

Ekspertët thonë se kriza në Mianmar ka vënë në provë unitetin e ASEAN-it, ndërsa vendet ishullore ka më shumë gjasa të mbajnë një qëndrim të ashpër ndaj juntës sesa shtetet kontinentale si Tajlanda.

Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se Kina kishte ushtruar trysni të madhe ndaj fqinjëve të saj kontinental që të angazhoheshin dhe ta pranonin juntën ushtarake të Mianmarit.

“Kina po luan një rol të madh duke ndikuar ndaj shumë vendeve fqinje për t’u afruar me juntën ushtarake të Mianmarit. Po pëpiqet t’i nxisë ato vende që të ndjekin hapat e Kinës e të bërit biznest me juntën dhe legjitimuar politikisht atë”, thotë Jason Tower nga Instituti i Paqes i Shteteve të Bashkuara.

Sekretari Blinken tha se kishte zhvilluar një bisedë të sinqertë dhe konstruktive me kryediplomatin kinez, Wang Yi, për një sërë çështjesh, përfshirë situatën në ngushticën e Tajvanit dhe agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.

“Mendoj se është e drejtë të thuhet se në bazë të asaj që dëgjuam nga Ministri i Jashtëm Lavrov, ndërhyrjet dhe angazhimet e tij nuk ishin konstruktive apo produktive për asnjë çështje. Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera, ai u përqendrua në një prezantim dhe axhendë totalisht negative, duke fajësuar Shtetet e Bashkuara për çdo problem në botë”, tha Sekretari Blinken.

Kryediplomati amerikan tha se nuk kishte asnjë tregues se Rusia është e gatshme të angazhohet në një diplomaci kuptimplotë për t'i dhënë fund luftës së saj në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG