Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi të hënën një kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe shkarkoi nga detyra prokurorin e Sarandës, Sali Hasa.
Këshilli i Prokurisë vendosi gjithashtu pezullimin e përfitimit prej tij të 50% të pagës, deri në marrjen e vendimit të formës së prerë nga gjykata.
Sipas kërkesës, që Inspektorit i Lartë i Drejtësisë i paraqiti Këshillit të Prokurorisë, “magjistrati është gjetur fajtor nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, dhe “Refuzim për deklarimin ose mos deklarimi i pasurisë” , dhe është dënuar me 2 vjet e 4 muaj burgim”.
Dënimi penal sipas Inspektorit të Lartë të drejtësië përbën “Shkelje shumë të rëndë disiplinore” dhe kërkohet shkarkimi i tij nga detyra.
Përfaqësuesi ligjor i prokurorit Sali Hasa, avokati Ermir Dobjani kishte kërkuar pezullimin e procedurës me argumentin se kishin depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë dhe se duhej të pritej kjo vendimarje.
Prokurori i Sarandës u arrestua më 19 qershor të vitit 2021 pasi dyshohej se ishte i përfshirë në marrje ryshfeti në rastin e pushimit të një çështjeje ndaj Emiljano Miranit, i cili akuzohej “për plagosje dhe mbajtje të armëve të ftohta”.
Provat e grumbulluara ndaj prokurorit por edhe personave të tjerë që ishin përfshirë në ushtrim ndikimi të paligjshëm dhe trukime ndeshjesh sportive dolën kryesisht nga përgjime, ndërsa po hetohej një çështje tjetër për trafik narkotikësh nga SPAK-u.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dënoi Prokurorin Sali Hasa më 31 maj të vitit 2021 me dy vjet e 4 muaj burgim dhe i hoqi të drejtën për të mbajtur poste publike për 3 vjet.
Prokurori Skënder Hasa u shkarkua nga detyra edhe prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në shtator të vitit 2021, pasi sipas KPK kishte probleme me kriterin e pasurisë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti balanca negative në vlera të mëdha si dhe ngriti dyshime për dhurimin e një sipërfaqe toke në Porto Palermo nga një person jashtë rrethit familjar në emër të fëmijëve të prokurorit.