Lidhje

Kerry në Pekin, diskuton mbi bashkëpunimin SHBA-Kinë për ndryshimet klimatike

I dërguari amerikan për klimën, John Kerry tha pas takimit me kryeministrin kinez se bashkëpunimi mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara për trajtimin e çështjes së ndryshimeve klimatike është i domosdoshëm. Zoti Kerry tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë çliruesit më të mëdhenj në botë të gazeve serrë.

Takimi i të dërguarit amerikan për klimën, John Kerry me kryeministrin kinez Li Qiang të martën pasoi takimin e tij me kreun e marrëdhënieve me jashtë të Partisë Komuniste në pushtet, Wang Yi, në ditën e tij të dytë të bisedimeve në Pekin.

“Presidenti Biden pret që të shënojmë përparim në axhendën e ndryshimeve klimatike. Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë dy ekonomitë më të fuqishme në botë. Ne jemi gjithashtu dy çliruesit më të mëdhenj të gazeve serrë. Prandaj, bashkëpunimi mes vendeve tona është i domosdoshëm dhe do t'i tregonte pjesës tjetër të botës se si mund të bashkëpunojmë në trajtimin e kësaj çështje shumë urgjente”, tha zoti Kerry.

Li Qiang, zyrtari i dytë më i lartë në Kinë, tha se Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunojnë më ngushtë për "sfidën e madhe" të shkaktuar nga ngrohja globale.

Marrëdhëniet midis dy vendeve janë në një nga nivelet më të ulëta mes mosmarrëveshjeve mbi tarifat, qasjen në teknologji, të drejtat e njeriut dhe kërcënimet e Kinës ndaj Tajvanit.

Kina kryeson botën në prodhimin dhe konsumimin e qymyrit, duke çliruar tonelata dioksid karboni në atmosferë çdo vit. Pekini është duke zgjeruar gjithashtu përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë si atë të prodhuar nga dielli dhe era.

Zoti Kerry është zyrtari i tretë i lartë i administratës së Presidentit Biden në javët e fundit që udhëton në Kinë për takime me homologët kinezë, pas Sekretarit të Shtetit Antony Blinken dhe Sekretares së Thesarit Janet Yellen.

This item is part of
XS
SM
MD
LG