Lidhje

Shqipëria i hap rrugën prodhimit të energjisë nga era, mbyllet ankandi i parë


Shqipëria i hap rrugën prodhimit të energjisë edhe nga era. Të martën, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë zhvilloi fazën përmbyllëse të ankandit të parë për ndërtimin e parqeve eolike, ku u shpallën dhe fituesit e propozimeve për ndërtimin e impianteve eolike në tre zona të ndryshme të vendit: grupi austriak Verbund AG, konsorciumi franko-shqiptar Total Eren SA &KMV shpk dhe ai turko-shqiptar Guris Insaat ve Muhendislik AS &Mogan Energji Yatirim Holding SA & BRD Energy.

Procesi për shfrytëzimin e erës për prodhimin e energjisë ka nisur që në qershor të vitit 2021, kur autoritetet shqiptare me mbështetjen e Bankës europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERS), hapën garën. Të gjitha palëve të interesuara ju ofrua dhe një studim teknik, i realizuar nga ekspertë të huaj, “i cili tregonte sesi dhe ku duhet të ndërtohen në territorin e Shqipërisë parqet eolike, pasi performanca e tyre varet nga korridorët në të cilat ato ndërtohen, pra sa është shpejtësia e erës, në cilën lartësi gjendet era, kështu që duke i vënë në dispozicion këtë analizë, këtë studim të gjithë kompanive të cilat ishin të interesuara ne vumë gurin e parë të themelit të këtij procesi”, shpjegoi zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Në fazën e parë shfaqën interes 14 kompani të huaja dhe shqiptare. Propozimet e tyre iu nënshtruan shqyrtimit nga ekspertët e Berzh-it dhe ata të ministrisë së Energjitikës, për të vlerësuar “eksperiencën e duhur teknike, burimet financiare dhe patjetër pozitën ligjore për të përfunduar një projekt të tillë eolik”, theksoi zonja Balluku. Ishin vetëm 6 kompani që u kualifikuan për më tej. Këtyre, siç shtoi më tej zonja Balluku, "iu kërkua që të provonin sesa ishin në gjendje të realizonin projektin në vendndodhjen e propozuar prej tyre dhe nga ana tjetër të merrnin një numër lejesh ose të drejta paraprake mbi tokën dhe të dorëzonin ofertën financiare”

Në fund të procesit, ato që i plotësuan të gjitha kriteret, ishin kompanitë që u shpallën fituese, pasi u hapën, në mënyrë publike dhe ofertat e tyre financiare, që kishin të bënin me çmimin që ofronin për shitjen e energjisë që ato do të prodhojnë e cila do të blihet e gjitha nga shteti. Grupi austriak ofroi një çmim prej 74,95 Euro/MWh, konsorciumi turko-shqiptar 74 Euro/MWh, ndërsa konsorciumi franko-shqiptar që kontrollohet nga shumëkombëshja francize Total, ofroi një çmim ndjeshëm më të ulët, prej 44.88 Euro/MWh. Ministria u shpreh e kënaqur me çmimet e ofruara, duke theksuar se “çmimi mesatar i përfituar nga kjo procedurë është shumë më i ulët nga çmimet mesatare të përftuara nga ankande të ngjashme për energjinë e erës”. Në total të tre parqet që propozohet të ndërtohen, ofrojnë një kapacitet prej 222 megaëat.

Në Shqipëri, prodhimi i energjisë bazohet thuajse totalisht në burimet hidrike, gjë e cila e bën sistemin të ndjeshëm ndaj luhatjeve të motit. Vitet e fundit autoritetet po nxisin dhe ndërtimin e impianteve fotovoltaike. Përveç invetimeve në përmasa të vogla, grupi i njohur francez Voltalia, pritet të nis prodhimin nga parku i madh në Karavasta, në fund të këtij viti, ndërsa vitin e ardhshëm do të nisë ndërtimin e një tjetër parku, në Spitallë.

XS
SM
MD
LG